Shërbimet hoteliere të bazuara në paketat “all inclusive”, të cilat janë jashtëzakonisht të popullarizuara në Turqi, së shpejti mund të marrin një koncept të ri, thanë burime nga industria turistike për TASS.
Sipas raportit të Fondacionit Turk për Parandalimin e Mbeturinave, në Turqi hidhen mesatarisht 23 milionë tonë ushqim në vit, ndërsa rreth 35 për qind e frutave dhe perimeve përfundojnë në plehra para se të arrijnë në tryezë. Si përgjigje ndaj këtij shpërdorimi, që gjithashtu nxit inflacionin e çmimeve të ushqimeve, Presidenca e Këshillit për Politikën Bujqësore dhe Ushqimore ka nisur një iniciativë.
Përfaqësuesit e industrisë turistike turke vazhdimisht propozojnë rishikimin e formatit “all inclusive”. Megjithatë, shumica ende besojnë se ai do të mbetet, ndonëse mund të pësojë ndryshime të pjesshme, duke marrë parasysh kërkesat e rritura të turistëve për cilësinë e shërbimit. Në këtë drejtim, ekzistojnë propozime të ndryshme, përfshirë ato të shoqatës së hotelierëve, por vendimin përfundimtar do ta marrin vetë hotelet që presin turistë, tha një burim nga industria turistike.
Këshilli ka përgatitur një raport gjithëpërfshirës për luftën kundër mbeturinave, i cili do t’i prezantohet presidentit Rexhep Tajip Erdogan, shkruan “Sabah”. Pritet që, pasi çështja të paraqitet në Parlament, masat ligjore të ndalojnë shpërdorimin dhe të parandalojnë restorantet që të imponojnë porcione të detyrueshme për të ashtuquajturat “mëngjese luksoze”.
Gjysma e mëngjeseve përfundon në plehra
Trendi i “mëngjesit luksoz”, që është bërë shumë popullor vitet e fundit, është kthyer në një problem të madh. Restorantet që refuzojnë të shërbejnë mëngjes për dy persona kur në tavolinë ka tre mysafirë, duke insistuar që shërbimi të bëhet sipas numrit të personave, jo vetëm që shkaktojnë pakënaqësi te klientët, por edhe e shumëfishojnë shpërdorimin e ushqimit.
Ramazan Bingol, anëtar i Këshillit Presidencial për Politikën Bujqësore dhe Ushqimore dhe kryetar i Shoqatës së të gjitha restoranteve dhe punëtorëve turistikë (TÜRES), tha se deri në 50 për qind e “mëngjeseve luksoze” hidhen.
“Ky shpërdorim rritet sepse restorantet insistojnë në numrin e mysafirëve. Për shembull, tre ose katër miq mund të hanin lehtësisht mëngjes për dy persona, por shumë restorante imponojnë porcione sipas numrit të mysafirëve. Ata sjellin më shumë ushqim, prej të cilit një pjesë as që preket para se të largohet nga tavolina. Ushqimi që vendoset në pjatë, por nuk hahet, shkon direkt në plehra.”
Bingol shtoi se edhe bufetët e hoteleve janë një tjetër burim i madh i mbeturinave.
“Njerëzit marrin pak nga gjithçka, duke menduar se ka shumë zgjedhje, por nuk e hanë të gjithën. Mijëra lira harxhohen kot.” Ai theksoi se për të luftuar inflacionin e çmimeve të ushqimit në Turqi, duhet së pari të ndalohet shpërdorimi.
“Si Këshill Presidencial për Politikën Bujqësore dhe Ushqimore, ne po përgatisim një raport gjithëpërfshirës. Brenda dy muajve, ky raport do t’i prezantohet së pari presidentit tonë dhe më pas institucioneve përkatëse.”
Nëse raporti arrin në Parlament, mund të vendosen masa për të parandaluar shpërdorimin.
“Në hotele, sistemi ‘all inclusive’ mund të shndërrohet në sistem ‘à la carte’. Një person do të porosiste vetëm aq ushqim sa mund të hajë. Në vend që të marrë gjithçka që sheh dhe të mos e hajë, mysafiri do të ngrihej nga tavolina i ngopur me ushqimin që ka zgjedhur. Po ashtu, nëse ka rregullore ligjore, restorantet dhe kafenetë nuk do të mund të imponojnë porcione të detyrueshme për person. Tre persona mund të hanë për dy, pesë ose gjashtë për katër. Nëse lokali nuk e lejon këtë, klienti mund ta raportojë situatën në Ministrinë e Tregtisë, e cila do të shqiptojë gjobë.”
Ndalimi i hedhjes së ushqimit në rrugë
Raporti i përgatitur nga Këshilli Presidencial për Politikën Bujqësore dhe Ushqimore thekson edhe çështjen e kafshëve endacake. Në të theksohet se ushqimi nuk duhet të hidhet në rrugë me arsyetimin se po ushqehen kafshët. Bingol shpjegon se kjo jo vetëm që ndot qytetin, por rrit edhe përhapjen e baktereve.
Kafshët që e hanë këtë ushqim gjithashtu sëmuren. Rrugët bëhen vend shumimi për mikrobe. Ka shumë ankesa nga veterinerët. Në asnjë vend evropian nuk mund të hidhni ushqim në rrugë me arsyetimin se ushqehen kafshët endacake. Kjo gjithashtu e prish ekuilibrin natyror.”
Bingol thekson se mbetjet e ushqimit ose buka duhet të mblidhen dhe të dërgohen në strehimore për kafshë, por shton: “Sigurisht, më e rëndësishmja është që kjo të parandalohet që në fillim.”










