Mavrovë-Rostushë, 13 qershor 2025 – Trupi i pajetë i një burri 76-vjeçar është gjetur pasditen e së enjtes në një zonë të thellë malore pranë fshatit Velebrdo, në komunën e Mavrovë-Rostushës, duke i dhënë fund kërkimeve disaditore që ishin ndërmarrë nga familjarët dhe autoritetet.
Viktima është identifikuar si R.B. nga fshati Bitushe, i cili ishte raportuar si person i zhdukur më 29 maj 2025. Vendndodhja e trupit ishte një zonë e njohur si “Brazda”, mjaft e thyer dhe me vështirësi për akses.
Sipas raportit policor, vdekjen e ka konstatuar një mjek nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë edhe ekipe të Policisë dhe Prokurorisë. Me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e vdekjes.
Familjarët kanë shprehur dyshime për shëndetin e përkeqësuar të të ndjerit dhe mundësinë që ai të ketë humbur rrugën ose të ketë pësuar ndonjë incident fatal në natyrë. Hetimet janë ende në zhvillim.










