Trendy

Fundi i regjimeve hibride: Kush e ka radhën pas Viktor Orbánit?

Para 2 orë

Pas Budapestit, sytë janë te Tirana dhe Beogradi, ku Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç udhëheqin sisteme që ngjajnë gjithnjë e më shumë me regjimet hibride që Europa po nis t’i refuzojë…

Viktor Orbán ra! Dhe me të nuk u rrëzua thjesht një kryeministër. U ça në mes një mit. U shemb një model. Kapitulloi propaganda se pushteti i gjatë, kontrolli i institucioneve, media e kapur dhe frika e paketuar si “stabilitet” janë receta përjetësie.

Nuk janë!

Orbán ishte fytyra më e paskrupullt e një regjimi hibrid në Europë: zgjedhje me dekor demokratik, pushtet me instinkt autokratik; me flamur në dorë, me shtet në xhep; fjalë për popullin, qeverisje për klikën. Për vite me radhë, ai u shit si i pathyeshëm. Si burrë shteti. Si strateg. Si lider që “e mban vendin në këmbë”. Në të vërtetë, ishte shembulli klasik i sundimtarit që e ngatërron fitoren e përsëritur me të drejtën për të sunduar pa kufi.

Dhe ja ku është sot: i rrëzuar në kutitë e votimit. Jo nga tanket. Jo nga revolucionet. As nga molotovët. Por nga lodhja e njerëzve me një regjim që kishte filluar të qelbej nga brenda.

Ky është fundi i çdo regjimi hibrid. Nuk shembet nga forca e jashtme. Kalbet nga brenda. Nga korrupsioni. Nga arroganca. Nga babëzia. Nga bindja e sëmurë se shteti është pronë dhe qytetari është spektator budalla që duhet të hajë propagandë në mëngjes, drekë dhe darkë.

Prandaj pyetja që ngrihet pas Budapestit është brutalisht e thjeshtë: kush e ka radhën?

Sepse Orbán nuk ishte rast i izoluar. Ai ishte modeli. Dhe Ballkani është plot me nxënës të këtij modeli. Disa më të rafinuar. Disa më brutalë. Disa me kostum europian. Disa me shfaqje nacionaliste. Por thelbi është i njëjtë: kap shtetin, mbaj peng institucionet, mbush ekranet me propagandë, poshtëro kundërshtarin, shite veten si i pazëvendësueshëm dhe quaje këtë “vullnet i popullit”.

Në këtë pasqyrë të përlyer, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç nuk janë thjesht dy liderë të ndryshëm. Janë dy versione ballkanike të të njëjtit instinkt pushteti.

Rama është versioni me grimë më moderne, me fjalor perëndimor, me paketim estetik, me poza globaliste dhe me një talent të rrallë për ta shitur centralizimin si vizion. Ai flet për Europën, por qeveris me logjikën e kontrollit vertikal. Ai premton shtet modern, por ka ngritur një sistem ku partia, qeveria, administrata, propaganda dhe imazhi personal treten në një masë të vetme. Në sipërfaqe duket si menaxhim. Në thelb është përqendrim.

Kjo është forca e tij. Dhe dobësia e tij.

Regjimet hibride nuk kanë nevojë të mbyllin parlamentet. U mjafton t’i zbrazin ato. Nuk kanë nevojë të ndalojnë mediat me ligj. U mjafton t’i mposhtin ata me propagandë, favore, presion ekonomik dhe polarizim. Nuk kanë nevojë të asgjësojnë drejtësinë. Mjafton të tentojë ta rrethojë sa herë që ajo afrohet te qendra reale e pushtetit.

Komisioni Europian, në raportin e tij të vitit 2025 për Shqipërinë, njeh progres në reformën në Drejtësi, por njëkohësisht thekson se korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe se kapacitetet institucionale ende kanë boshllëqe serioze. Freedom House e klasifikon Shqipërinë si “Partly Free”, ndërsa profili i saj në Nations in Transit e vendos te kategoria “Transitional or Hybrid Regime”.

Ky është paradoksi i Edi Ramës: ai flet gjuhën e Europës, por pushtetin e administron me reflekse ballkanike të centralizimit. Ai e shet veten si modern, por sistemi që ka ndërtuar varet nga një vertikalitet politik ku partia, qeveria, administrata, komunikimi publik dhe interesi shtetëror përzihen në një trup të vetëm. Kjo është fytyra shqiptare e regjimit hibrid: jo autokraci brutale, por kontroll i zgjuar; jo mbyllje totale, por deformim konstant i garës.

Në Beograd, tabloja është edhe më e zhveshur. Aleksandar Vuçiç është sot një nga rastet më tipike të liderit që ka ngritur një regjim personalist nën ambalazhin e procedurave demokratike. Freedom House e mban Serbinë “Partly Free” dhe e kategorizon në Nations in Transit si “Transitional or Hybrid Regime”. V-Dem e përmend Serbinë si rast të autokratizimit të zgjatur dhe e ka trajtuar prej vitesh si shembull të degradimit të demokracisë zgjedhore.

Por teoria në Serbi tashmë është bërë krizë në terren. Përplasja mes studentëve, protestuesve dhe policisë në Beograd, në një valë mobilizimi antiqeveritar po zgjat prej më shumë se një viti. Më 2 prill 2026 Vuçiç i ftoi partitë për bisedime ndërsa protestat vazhdojnë, një tregues se presioni shoqëror nuk po shuhet. Në shkurt 2026, pati shqetësime se ndryshimet në gjyqësor mund të dëmtojnë ofertën europiane të Serbisë, në një klimë ku kritikët flasin për presion mbi prokurorët dhe gjyqtarët.

Vuçiç, si Orbán, e ndërtoi sistemin e tij mbi tri kolona: kontrollin e narrativës, kultin e stabilitetit dhe delegjitimimin e çdo kundërshtari si armik i shtetit. Por këto modele kanë një dobësi fatale: sa më shumë zgjaten, aq më shumë e ngatërrojnë shtetin me liderin dhe pakënaqësinë sociale me komplotin. Në atë pikë, regjimi pushon së qeni elastik. Dhe kur regjimi humbet elasticitetin, ai mund të duket i fortë në ekran, por në terren plasaritet.

Orbán është prova e gjallë se makineria e pushtetit nuk është e barabartë me pëlqimin shoqëror. Për vite të tëra ai kontrolloi peizazhin politik hungarez, ndryshoi rregullat, bëri aleanca të leverdishme me nacionalizmin kulturor dhe me frikën gjeopolitike, e megjithatë humbi. Pse? Sepse regjimet hibride nuk bien vetëm kur opozita është e fortë; bien kur shoqëria lodhet së jetuari brenda një sistemi ku çdo gjë ka vetëm një pronar.

Ky është rreziku real për Ramën dhe Vuçiçin. Jo humbja mekanike në zgjedhjet e ardhshme, por konsumimi i modelit. Në Shqipëri, ky konsumim shihet te hendeku mes propagandës së suksesit dhe mosbesimit ndaj elitës politike. Në Serbi, shihet te rikthimi i rrugës si instrument politik, te nervozizmi i pushtetit dhe te fakti që regjimi flet gjithnjë e më shumë për rendin, sepse ka gjithnjë e më pak legjitimitet moral për të folur për demokracinë.

Natyrisht, Shqipëria nuk është Hungaria dhe Serbia nuk është identike me asnjërën. Ka dallime në strukturë, orientim ndërkombëtar, nivel kontrolli dhe arkitekturë institucionale. Rama mbetet qartësisht më i ankoruar në Perëndim se Orbán dhe Vuçiç, ndërsa Shqipëria ka një profil euro-atlantik që e dallon fort nga loja dyfishe e Beogradit dhe nga flirti i gjatë i Orbánit me Moskën. Por ky dallim gjeopolitik nuk e zgjidh dot problemin demokratik të brendshëm. Një qeveri nuk bëhet automatikisht më pak hibride vetëm sepse mban retorikë pro-BE.

Në thelb, regjimi hibrid është një mashtrim i sofistikuar: ai ruan dekorin e demokracisë për të justifikuar boshatisjen e saj. Ka zgjedhje, por jo garë të ndershme; ka institucione, por jo ekuilibër real; ka media, por jo pluralizëm të shëndetshëm; ka ligj, por jo zbatim të barabartë; ka stabilitet, por jo llogaridhënie.

Dhe pikërisht për këtë, fitorja e Péter Magyarit ka kuptim shumë më të madh sesa një rotacion në Budapest. Ajo është një sinjal për gjithë rajonin se propaganda nuk është e pathyeshme, se makineria e shtetit nuk e zëvendëson dot pëlqimin qytetar dhe se edhe sistemet më të sofistikuara të kontrollit lodhen nga vetëvetja. Orbán nuk u rrëzua nga një grusht shteti, por nga kutia e votimit. Kjo e bën disfatën e tij edhe më të rëndë, edhe më domethënëse.

Mesazhi për Tiranën dhe Beogradin është brutal në thjeshtësinë e vet: pushteti i gjatë nuk është provë force, por test karakteri. Dhe zakonisht, aty dështon. Sepse kur një lider nis të besojë se ai vetë është shteti, atëherë ka nisur fundi i tij politik, edhe nëse numrat ende i ka.

Fundi i regjimeve hibride nuk vjen si rrufe. Vjen si konsum. Vjen si neveri publike ndaj arrogancës. Vjen si refuzim i idesë se nuk ka alternativë. Vjen si lodhje me liderin që flet për popullin, por qeveris për rrethin e vet. Vjen ngadalë, por krejt papritur.

Hungaria sapo e tregoi.

Dhe kush nuk e lexon këtë sinjal në Ballkan, nesër mund ta marrë si verdikt./Pamfleti

Trending