Trendy

Cilat vende e kanë njohur Palestinën dhe çfarë do të thotë kjo

Para 6 muaj

Në një deklaratë më 24 korrik, presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftoi se Franca do të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës në shtator. Lajmi u pasua shpejt nga raportime të mediave ndërkombëtare, përfshirë CNN-it, sipas të cilave edhe Britania e Madhe dhe Gjermania pritet të ndjekin të njëjtën rrugë së shpejti.

Aktualisht, pas njohjes së Palestinës nga Sllovenia, Spanja dhe Irlanda në maj të këtij viti, numri i vendeve të Bashkimit Evropian që e kanë njohur zyrtarisht shtetin palestinez ka shkuar në 11. Në nivel global, më shumë se 140 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së e kanë bërë këtë hap. Palestina ka statusin e “shtetit vëzhgues jo-anëtar” në Kombet e Bashkuara që nga viti 2012.

Në të drejtën ndërkombëtare, njohja e një shteti nënkupton pranimin e sovranitetit të tij, tërësisë territoriale dhe statusit si subjekt juridik ndërkombëtar. Kjo shoqërohet edhe me vendosjen e përfaqësive diplomatike të përhershme. Në rastin e Palestinës, njohja ka edhe një domethënie të fortë simbolike, veçanërisht në kontekstin e luftës në Gaza dhe dinamikave të reja gjeopolitike midis Perëndimit dhe Lindjes së Mesme.

Palestina u vetëshpall shtet më 15 nëntor 1988, gjatë një mbledhjeje të Këshillit Kombëtar Palestinez në Algjer. Deklarata e Pavarësisë u lexua nga Yasser Arafat dhe u hartua nga poeti palestinez Mahmoud Darwish. Megjithatë, që nga ajo kohë, procesi i njohjes ka qenë i fragmentuar dhe i ndikuar nga zhvillimet politike rajonale dhe globale.

Njohjet e para erdhën që në vitet 1988-1989 nga vendet e Ligës Arabe, të bllokut sovjetik dhe ato të lëvizjes së vendeve të paangazhuara. Më pas, nga viti 2009 deri më 2011, pati një valë njohjesh nga Amerika Latine, përfshirë Brazilin, Argjentinën, Bolivinë, Ekuadorin, Kilin, Perunë, Uruguain dhe Venezuelën.

Brenda Europës, qëndrimet kanë qenë të ndara. Islanda, jashtë BE-së, e njohu Palestinën në vitin 2011, ndërsa Suedia ishte vendi i parë i BE-së që e njohu atë në vitin 2014. Më herët, disa vende lindore të BE-së e kishin njohur Palestinën para se të anëtarësoheshin në Union, në kohën kur bënin pjesë në bllokun lindor.

Nga vendet e G20, dhjetë shtete e kanë njohur Palestinën (si Brazili, Kina, India, Rusia, Afrika e Jugut, Turqia, Spanja etj.), ndërsa tetë të tjera, përfshirë SHBA-të, Gjermaninë, Italinë, Japoninë dhe Britaninë, jo. Franca është shteti më i fundit që është shprehur në favor të njohjes. Gjatë vitit 2024, disa vende europiane, si Spanja, Irlanda, Norvegjia, Sllovenia dhe Armenia, e kanë njohur zyrtarisht Palestinën me arsyetimin se ky hap do të ndihmojë në rifillimin e një procesi paqeje të qëndrueshme.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez e cilësoi vendimin si veçanërisht domethënës, duke kujtuar se Spanja është zakonisht shumë e kujdesshme me çështje të pavarësisë, si në rastin e Kosovës apo Katalonjës. Nga ana tjetër, Norvegjia theksoi se e ndërmori hapin për të nxitur paqen, ndryshe nga qëndrimi i mëparshëm që e kushtëzonte njohjen me përfundimin e një procesi negociatash.

Në mesin e vendeve që nuk e kanë njohur Palestinën formalisht është edhe Italia, që ndjek një linjë më të kujdesshme. Ministri i Jashtëm Antonio Tajani deklaroi së fundmi se Italia mbështet krijimin e një shteti palestinez, por që ky shtet duhet të njohë Izraelin dhe të mos jetë i drejtuar nga Hamasi.

Trending