Ligjvënësit gjermanë pritet të miratojnë javën e ardhshme 29 kontrata të mëdha të prokurimit ushtarak me vlerë rekord prej 52 miliardë eurosh, si pjesë e planit të qeverisë për të transformuar Bundeswehr-in në ushtrinë më të fuqishme konvencionale në Evropë, raporton Bloomberg.
Sipas burimeve të cituara nga kompania mediatike, porositë përfshijnë 22 miliardë euro për pajisje bazë ushtarake dhe veshje, 4.2 miliardë euro për mjetet e blinduara Puma, 3 miliardë euro për sistemin anti-raketor Arrow 3 dhe 1.6 miliardë euro për satelitë survejimi.
Seanca e komisionit të buxhetit në Bundestag pritet të jetë ndër më të mëdhatë ndonjëherë si në numër kontratash ashtu edhe në vlerë totale.
Shpenzimet e Gjermanisë për mbrojtjen janë rritur ndjeshëm pas pushtimit rus të Ukrainës, duke çuar në rimodelimin e strategjisë së sigurisë së vendit.
Ish-kancelari Olaf Scholz e kishte cilësuar këtë kthesë një “moment historik”, ndërsa pasardhësi i tij konservator, Friedrich Merz, ka zgjeruar më tej ambicien për të forcuar ushtrinë.
Në një takim me qytetarët, Merz përsëriti synimin që Gjermania të ndërtojë një kapacitet mbrojtës që garanton paqe afatgjatë.
Koalicioni qeverisës synon të arrijë objektivin e NATO-s për shpenzime bazë të mbrojtjes në nivelin 3.5 për qind të PBB-së deri në vitin 2029, shumë përpara afatit zyrtar të vitit 2035.










