Trendy

Gjermania i dërgon Turqisë sistem Patriot për mbrojtje ajrore

Para 5 orë

Autoritetet turke kanë njoftuar të mërkurën se Gjermania do t’i dërgojë Turqisë një sistem mbrojtjeje raketore Patriot për një vendosje gjashtëmujore nga qershori, për të zëvendësuar një sistem të vendosur në kuadër të masave të NATO-s në juglindje të vendit dhe për të forcuar mbrojtjen ajrore gjatë luftës në Iran, shkruan Reuters.

Në mars, Ankaraja zyrtare kishte bërë të ditur se një sistem amerikan Patriot ishte vendosur në juglindje të Turqisë, pranë një baze radari të NATO-s, përballë kërcënimeve me raketa nga Irani.

Sipas autoriteteve turke, mbrojtja e NATO-s ka rrëzuar katër raketa balistike të lëshuara nga Irani gjatë luftës.

“Përveç sistemit spanjoll të mbrojtjes ajrore Patriot të vendosur aktualisht në vendin tonë, një nga dy sistemet shtesë Patriot të vendosura nga NATO për shkak të konflikteve midis SHBA-së, Izraelit dhe Iranit do të zëvendësohet nga një sistem gjerman”, ka njoftuar Ministria turke e Mbrojtjes.

“Ky zëvendësim është planifikuar të përfundojë në qershor dhe sistemi pritet të mbetet funksional për afërsisht gjashtë muaj”, ka thënë ministria, duke shtuar se vlerësimet e sigurisë do të vazhdojnë në koordinim me aleatët.

Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, vitet e fundit ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të zvogëluar varësinë nga furnizuesit e jashtëm në industrinë e mbrojtjes.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve, vendit ende i mungon një sistem gjithëpërfshirës i mbrojtjes ajrore dhe vazhdon të mbështetet në sistemet e NATO-s të vendosura në rajon.

Trending