Dhjetëra mijëra protestues dolën të shtunën në rrugët e qyteteve të ndryshme të Gjermanisë, në demonstrata kundër partisë së ekstremit të djathtë AfD, pasi kjo forcë politike shënoi një fitore të thellë në zgjedhjet rajonale të zhvilluara javën e kaluar.
Partia “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) doli e para në zgjedhjet në rajonin lindor të Saksonisë-Anhaltit dhe tashmë po përpiqet të formojë qeverinë e parë rajonale të ekstremit të djathtë në Gjermani që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Rreth 150 mijë demonstrues dolën në rrugë në rreth 20 qytete të vendit, përfshirë Berlinin, Hamburgun dhe Mynihun. Protestat u organizuan nga grupi “Pruef”, i cili avokon për ndalimin e AfD-së, sipas organizatorëve, shkruajnë mediat e huaja.
Protestuesit mbanin pankarta me slogane si “Ndalojeni AfD-në tani” dhe “Demokracia nuk ka nevojë për alternativa”.
“Një pjesë e gjerë e shoqërisë civile po del në rrugë për të penguar armiqtë e kushtetutës, pra AfD-në në Saksoni-Anhalt, që të marrin pushtetin qeverisës”, tha Christoph Bautz, kreu i grupit të fushatës “Campact”, i cili gjithashtu mori pjesë në demonstrata.
Rritja e AfD-së ka shqetësuar shumë njerëz që besojnë se Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë për t’u përballur me të kaluarën e saj naziste. Ndërkohë, janë shtuar thirrjet që partitë kryesore politike të kërkojnë ndalimin e kësaj force politike.
Megjithatë, pengesat për një ndalim zyrtar të AfD-së janë të mëdha në Gjermani. Friedrich Merz, nga partia e qendrës së djathtë CDU, mbetet skeptik për ndjekjen e një qasjeje të tillë.
Në Berlin, policia njoftoi se disa mijëra protestues morën pjesë në demonstrata të ndryshme.
Ndërkohë, AfD-ja organizoi një kundërprotestë në kryeqytet, ku mori pjesë edhe Kristin Brinker, kandidatja kryesore e partisë për zgjedhjet rajonale që do të mbahen në Berlin fundjavën e ardhshme.
“Campact” raportoi se në Hamburg morën pjesë rreth 25 mijë demonstrues, ndërsa në Mynih rreth 12 mijë.
Partia kundër imigracionit mori gati 44 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës së kaluar në Saksoni-Anhalt, krahasuar me 17 për qind që mori CDU-ja.
AfD-së i munguan vetëm tri mandate për të siguruar shumicën absolute dhe tashmë ka nisur bisedimet me grupe të tjera dhe deputetë, në përpjekje për të formuar qeverinë rajonale.











