Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul deklaroi se Berlini është gati të marrë më shumë përgjegjësi brenda NATO-s, në një moment kur SHBA po redukton gradualisht praninë ushtarake në Europë. Paralelisht, Pentagoni ka pezulluar dërgimin e një brigade amerikane prej 4 mijë ushtarësh në Poloni…
Gjermania ka sinjalizuar zyrtarisht se është e gatshme të marrë një rol më të madh drejtues brenda NATO-s, ndërsa aleanca përballet me reduktimin gradual të angazhimit ushtarak amerikan në Europë.
“Gjermania po merr përgjegjësitë e saj udhëheqëse. Sa më shumë të rriten kapacitetet europiane, aq më shumë duhet të ndryshojnë edhe detyrat brenda Aleancës”, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, sipas agjencisë gjermane DPA.
Ai theksoi se objektivi është një ndarje e re barrash brenda NATO-s, që të pasqyrojë potencialin ekonomik dhe ushtarak të Gjermanisë dhe të gjithë Europës.
Deklaratat e Wadephul vijnë në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Helsingborg dhe marrin rëndësi të veçantë pas sinjaleve të qarta për një tërheqje graduale amerikane nga Europa.
Vetëm pak orë më parë, Pentagoni njoftoi pezullimin e dërgimit në Europë të brigadës amerikane “Second Armored Brigade Combat Team, First Cavalry Division”, e njohur edhe si brigada “Black Jack”.
Njësia prej rreth 4 mijë ushtarësh ishte planifikuar të dislokohej në fillim të majit për një mision në krahun lindor të NATO-s, veçanërisht në Poloni, por Departamenti Amerikan i Mbrojtjes vendosi të pezullojë operacionin në minutën e fundit.
Megjithatë, drejtues të lartë ushtarakë europianë po përpiqen të minimizojnë shqetësimet mbi këtë zhvillim.
Gjatë konferencës ndërkombëtare të sigurisë “Globsec” në Pragë, gjenerali gjerman Micheal Vetter, përgjegjës për sigurinë kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes, deklaroi se situata nuk duhet dramatizuar.
“Nuk është një lajm i shkëlqyer, por nuk ka arsye për alarm. Kjo lëvizje ishte paralajmëruar prej kohësh. Në çdo rast, prania amerikane në Europë mbetet e rëndësishme”, tha ai.
Vetter kujtoi se SHBA vazhdon të mbajë baza strategjike në Europë, si baza e Ramstein në Gjermani.
Edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë çeke, gjenerali Karel Rehka, minimizoi ndikimin e vendimit amerikan.
“Tërheqja e kësaj brigade do të thotë se parandalimi ynë ushtarak rikthehet në nivelin e vitit 2021, pra para luftës në Ukrainë. NATO ka plane për dhjetë brigada. Forcat europiane janë plotësisht të afta të mbushin këtë boshllëk”, deklaroi ai.
Në fakt, reduktimi i pranisë amerikane ishte pritur prej kohësh nga drejtuesit e NATO-s.
Pentagoni kishte nisur gradualisht ngadalësimin e rotacionit të trupave që prej tetorit të kaluar, kur vendosi të mos zëvendësonte një brigadë të vendosur më parë në Rumani.
Këto masa prekin kryesisht 15 deri në 20 mijë ushtarët amerikanë të dërguar në Europë në vitin 2022, me urdhër të ish-presidentit Joe Biden, menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës, për të forcuar krahun lindor të NATO-s.
Përveç këtij kontingjenti të përkohshëm, SHBA mban ende rreth 65 deri në 70 mijë ushtarë në bazat e saj të përhershme në Europë, kryesisht në Gjermani, Itali dhe Britaninë e Madhe.
Deklaratat e Berlinit dhe zhvillimet e fundit në Pentagon konfirmojnë se NATO po hyn në një fazë të re, ku Europa po përgatitet të marrë më shumë përgjegjësi ushtarake dhe strategjike, ndërsa SHBA po rishikon gradualisht rolin e saj në kontinent. /Përshtatur nga “Corriere Della Sera”










