Trendy

Gjermania u trazua nga fitorja e AfD-së, reagon Merkel: Rezultati tronditës, zemra më pikon gjak

Para 45 minuta

Pas fitores së AfD -së në zgjedhjet e Saksonisë-Anhaltit, ish -kancelarja gjermane Angela Merkel theksoi në ekspozitën Digital X të Deutsche Telekom në Këln se “si anëtare e CDU-së, zemra ime pikon gjak”, ndërsa foli për një “pikë kthese në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë”.

Ish-kryetarja e CDU-së, e cila shërbeu si kancelare gjermane nga 22 nëntori 2005 deri më 8 dhjetor 2021, e përshkroi rezultatin e zgjedhjeve në Saksoni-Anhalt si “tronditës”.

Merkel propozoi një mënyrë të ndryshme komunikimi me qytetarët e vendit, me qëllim zbatimin e një qasje më të mirë dhe shpjegimin më të mirë të progresit.

“Qasja individuale ndaj qytetarëve ndoshta është bërë më e rëndësishme se në të kaluarën”, tha ajo, duke vënë në dukje se “partitë demokratike tani duhet të përpiqen më intensivisht për kontakt me qytetarët”.

Ajo ishte e shqetësuar se për shumë qytetarë, faktet nuk kanë më shumë rëndësi dhe se në vend të kësaj theksi vihet te emocionet, madje edhe nga politikanët e AfD-së.

“Ishte progresi i Iluminizmit që i lejoi të gjithë njerëzimit të binte dakord mbi faktet”, tha ish kancelarja.

Sipas Merkel, do të ishte një regres kulturor nëse emocionet do të mbizotëronin dhe faktet nuk do të konsideroheshin më gjëja më e rëndësishme.

Ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz akuzoi partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë se mbështet politika anti-emigracion që janë të barazvlefshme me “spastrim etnik”.

Merz iu drejtua parlamentit gjerman pas humbjes të Kristian-demokratëve kundër AfD-së, e cila fitoi zgjedhjet në shtetin lindor të Saksonisë-Anhalt me ​​një platformë kundër emigrantëve.

“Njerëzit me sfond migrimi punojnë gjithashtu në profesionet e kualifikuara. Nëse ajo që po mbështetet këtu, do të bëhej realitet, nuk do të ishte gjë tjetër veçse një sinonim i spastrimit etnik bazuar në origjinë dhe ngjyrën e lëkurës”, tha Merz.

Merz akuzoi gjithashtu Alternativën se mbështet Rusinë, ndërsa tha se autoritetet gjermane shmangën një katastrofë në tentativën për sulm me dron në aeroportin e Lajpcigut, për të cilën Berlini ka akuzuar Moskën.

Kancelari deklaroi se sulmi ishte planifikuar për një kohë të gjatë në Rusi dhe shënjestronte Gjermaninë.

“Ky sulm ishte planifikuar në Rusi për muaj të tërë dhe kishte në shënjestër Gjermaninë, dhe vetëm rastësisht u parandaluan dëme të mëdha materiale dhe dëme njerëzore”, tha Merz.

Rusia ka hedhur poshtë çdo përfshirje në incidentin e dronit në aeroportin e Leipzigut, dhe ministri i saj i jashtëm ka thënë se këto akuza ishin “fillimi i një lufte të vërtetë”.

Trending