Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka lëshuar të martën fletarrestime për dy figura kyçe të regjimit taliban në Afganistan, përfshirë liderin suprem shpirtëror Haibatullah Akhundzada, dhe Abdul Hakim Haqqani, shefin e Drejtësisë së talibanëve.
Sipas deklaratës zyrtare të GJNP-së, ekzistojnë “arsye të qëndrueshme për të besuar” se të dy janë përgjegjës për krime kundër njerëzimit, në veçanti për persekutim sistematik të grave dhe vajzave në baza gjinore, si dhe të personave që nuk janë përshtatur me “politikat e talibanëve për gjininë, identitetin gjinor dhe lirinë e shprehjes.”
Gjykata deklaron se:
“Ndonëse talibanët kanë vendosur rregulla të caktuara dhe ndalesa në gjithë popullsinë, ata i kanë shënjestruar në mënyrë specifike gratë dhe vajzat mbi arsyetimin e gjinisë së tyre, duke ua pamundësuar të drejtat dhe liritë e tyre themelore.”
Në raportin e saj, GJNP rendit privimin nga arsimi, lëvizja e lirë, jeta private dhe fetare, si dhe ndalimin e shprehjes së lirë si forma të shtypjes ndaj grave dhe vajzave që përbëjnë përndjekje me bazë gjinore.
Gjykata thekson gjithashtu:
“Përveç kësaj, persona tjerë janë shënjestruar pasi shprehja e seksualitetit dhe/apo identiteti gjinor është konsideruar si jokonsistent me politikën e talibanëve për gjini.”
Krimet e supozuara kanë ndodhur nga 15 gushti i vitit 2021, kur talibanët rimorën pushtetin, deri më 20 janar 2025.
Gjykata Ndërkombëtare Penale, e vendosur në Hagë, nuk posedon forcë të vet policore, prandaj zbatimi i këtyre fletarrestimeve mbetet në dorën e vendeve anëtare. Kjo nënkupton se asnjë nga të akuzuarit nuk mund të udhëtojë në një shtet anëtar pa rrezikuar arrestimin.
Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet ndërkombëtare për të adresuar abuzimet sistematike të të drejtave të njeriut nën regjimin taliban.










