Trendy

Gjykata Kushtetuese zgjeron frontin: Në shënjestër “Rastet e Hagës” dhe shqipja në ambalazhet e produkteve

Para 2 muaj

Pas heqjes së mekanizmit të Balancuesit, zvogëlimit të numrit të këshilltarëve komunalë dhe tentimeve për zhbërjen e statusit të gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka hapur edhe një tjetër front që prek drejtpërdrejt të drejtat e shqiptarëve. Këtë herë, në shënjestër është vënë përdorimi i gjuhës shqipe në ambalazhet e produkteve që qarkullojnë në tregun vendor, shkruan gazeta KOHA.

Gjykata ka shqyrtuar dispozitat e dygjuhësisë në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve, konkretisht obligimin për përdorimin e gjuhës shqipe në etiketim dhe informim të produkteve. Tentimi për shfuqizimin e kësaj dispozite, për momentin, ka dështuar jo për shkak të bindjes juridike, por për mungesë të shumicës së nevojshme për vendimmarrje.

Sipas burimeve të KOHA-s, pas shkarkimit të gjykatëses Aleksandra Dukovska dhe dorëheqjes së gjykatëses Jadranka Daboviq, Gjykata Kushtetuese nuk ka arritur të sigurojë minimumin prej pesë votash të nevojshme për miratimin e një vendimi. Kjo ka bërë që nisma të mbetet e hapur, por pa epilog përfundimtar.

Paralelisht me këtë çështje, Gjykata Kushtetuese ka hapur, por ka lënë pezull edhe iniciativën që lidhet me të ashtuquajturat “Raste të Hagës”, të dorëzuar nga ish-deputeti Pavle Trajanov. Procesi aktualisht është i bllokuar për arsye procedurale, pasi gjykatësja referuese për këtë lëndë ishte pikërisht Jadranka Daboviq, e cila tashmë ka dhënë dorëheqje. Pritet që në ditët në vijim të caktohet një gjykatës tjetër referues, pas së cilës do të vazhdojë procedura e vendimmarrjes.

Megjithatë, vetë hapja e kësaj iniciative konsiderohet tejet e ndjeshme, pasi tentimi për rikthimin e “Rasteve të Hagës”, prek drejtpërdrejt Ligjin për Amnisti të vitit 2002 dhe rrezikon seriozisht stabilitetin e marrëdhënieve ndëretnike në vend.

Rihapja e këtyre rasteve është diskutuar disa herë ndër vite, por çdo herë debati ka përfunduar pa hapa konkretë. Situata aktuale, megjithatë, vlerësohet si më e rrezikshme se kurrë më parë.

Me rikthimin e VMRO-DPMNE fuqishëm në pushtet dhe me një faktor politik shqiptar të fragmentuar dhe më të dobët se asnjëherë, sipas vlerësimeve të njohësve të zhvillimeve politike, tendenca për të prekur një nga një të gjitha të arriturat shqiptare po intensifikohet dita-ditës.

Burime të KOHA-s paralajmërojnë se shumë nga këto iniciativa nuk janë të izoluara, por pjesë e një qasjeje sistematike që, nën petkun e interpretimeve kushtetuese dhe procedurale, rrezikon të zhbëjë të arriturat e fituara me vështirësi në dy dekadat e fundit. (koha.mk)

 

Trending