Trendy

Vendim historik në SHBA: “Meta” dhe “YouTube” përgjegjëse për dëmtimin e shëndetit mendor të të rinjve

Para 1 orë

Një gjykatë në Kaliforni ka vendosur që “Meta” dhe “YouTube” janë përgjegjëse për të gjitha akuzat në një rast që konsiderohet historik për funksionimin e rrjeteve sociale, pasi u akuzuan se platformat ishin të dizajnuara në mënyrë që të shkaktonin varësi tek një përdoruese e re dhe të përkeqësonin shëndetin e saj mendor.

Juria vendosi se të dyja kompanitë kishin treguar pakujdesi në dizajnimin e shërbimeve të tyre, ishin të vetëdijshme për rreziqet e mundshme dhe nuk ofruan paralajmërime të mjaftueshme, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm për paditësen.

Ky vendim pritet të krijojë një precedent për qindra raste të ngjashme dhe mund të çojë në ndryshime në mënyrën e funksionimit të rrjeteve sociale, sidomos në aspektin e mbrojtjes së të miturve.

Rasti përfshin Kayli, tani 20 vjeç, e cila së bashku me nënën e saj paditën Meta, YouTube, Snap dhe TikTok, duke pretenduar se platformat e tërhoqën që në moshë të re, duke çuar në ankth dhe mendime vetëvrasëse. Kompanitë Snap dhe TikTok arritën marrëveshje para fillimit të gjyqit.

Gjykimi në Gjykatën e Lartë të Los Anxhelosit zgjati shtatë javë, ndërsa juria u deshën më shumë se tetë ditë diskutimesh për të marrë vendimin. Meta dhe YouTube duhet të paguajnë gjithsej 3 milionë dollarë kompensim, ndërsa në fazat e ardhshme mund të vendoset nëse do të ketë edhe dënime shtesë, duke marrë parasysh gjendjen financiare të kompanive.

Juria shpalli se 70% e përgjegjësisë i takon Meta-s dhe 30% YouTube-it. Paditësja ndoqi shpalljen e vendimit në gjykatë, së bashku me prindër të tjerë të fëmijëve që pretendojnë se janë ndikuar negativisht nga përdorimi i rrjeteve sociale.

Një përfaqësues i Meta-s deklaroi se kompania nuk është dakord me vendimin dhe po shqyrton opsionet ligjore, ndërsa Google njoftoi se do të apelojë vendimin. Në një deklaratë, kompania theksoi se YouTube është një platformë për transmetim përmbajtjesh e dizajnuar me përgjegjësi dhe jo një rrjet social.

Të dyja kompanitë kishin mohuar akuzat, duke theksuar se kanë implementuar mjete sigurie për të miturit, si kontrollin prindëror dhe kufizime përmbajtjeje dhe privatësie për adoleshentët.

Trending