Trendy

Gjykimi për Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës: Ministria e Kulturës nuk ka konstatuar dëm financiar, gjykata kërkon superekspertizë të re

Para 2 orë

Ministria e Kulturës nuk ka konstatuar dëm financiar në realizimin e projektit për ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës. Kështu tha sot në seancën gjyqësor, përfaqësuesi i Ministrisë Vlladimir Popovski. Ai tha se dikasteri që përfaqëson nuk ka bërë ekspertizë dhe nuk kërkon dëmshpërblim. Sipas tij, kërkesa e vetme e Ministrisë lidhet me mënyrën e zbatimit të procedurave. I pyetur nga mbrojtja, Poposki theksoi se të gjitha pagesat janë realizuar në përputhje me situatat dhe aneks-marrëveshjet përkatëse.

Në vijim të seancës, dëshmuan edhe tre ekspertë nga fusha e ekonomisë dhe inxhinierisë së ndërtimit, Biljana Gigovska, Liljana Kovaçevska dhe Anton Kajtazi.
Ata vlerësuan se gjatë realizimit të projektit nuk janë evidentuar shkelje të Ligjit për furnizime publike, si dhe nuk kanë konstatuar parregullsi në mbikëqyrjen e punimeve. Ekspertja Gigovska theksoi se rritja e vëllimit të punimeve prej 17.72 për qind është në përputhje me ligjin, pasi është evidentuar dhe dakorduar nga të gjitha palët e përfshira.

Megjithatë, për shkak të kundërthënieve ndërmjet akuzës dhe konstatimeve të ekspertëve, Gjykata vendosi të kërkojë superekspertizë të re, e cila do të realizohet nga ekspertë të përzgjedhur nga lista zyrtare.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për 1 qershor. Ndryshe, rasti zhvillohet nën akuzat për keqpërdorim të procedurave të furnizimeve publike, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe punë të pandërgjegjshme në shërbim. Në këtë proces gjyqësor, për projektin e Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, keqpërdorimin e rreth 13 milion eurove akuzohen katër persona Haki Fazliu ish drejtor, Artan Arsllani përgjegjës i komisionit për furnizime, Bajram Muça inxhinier dhe Sejdi Shasivari pronar i kompanisë UPC që kryen punimet në objekt./Alsat.mk.

Trending