Burime për gazetën KOHA bëjnë të ditur se faza e dytë e rrugës Shkup-Bllacë, në gjatësi prej 12 kilometrash, rrezikon të mos ndërtohet si autostradë, por të reduktohet në një “rrugë ekspres”.
Sipas informacioneve të siguruara, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve i ka kërkuar ndërmarrjes “Rrugët Shtetërore” që të përgatisë një analizë për këtë segment, me qëllim vlerësimin nëse ndërtimi si “rrugë ekspres” do të ishte më i lirë dhe më i arsyeshëm ekonomikisht. Burimet brenda kësaj ndërmarrjeje konfirmojnë për KOHA se kjo lëvizje nënkupton në praktikë braktisjen e konceptit fillestar për autostradë.
“Ka arritur kërkesë zyrtare nga Ministria që të bëjmë analizë nëse do të kushtonte më lirë dhe çfarë përfitimesh do të kishte shteti nga një ‘rrugë ekspres’ në vend të ‘autostradës’. Kjo nënkupton se nuk e kanë ndërmend ta vazhdojnë fazën e dytë si autostradë”, thonë burimet.
Arsyet kryesore për këtë devijim, sipas të njëjtave burime, janë mungesa e mjeteve financiare dhe vlerësimi se përfitimi ekonomik nga kjo rrugë është i kufizuar. Por, kjo kërkesë e MTL-së në vetvete e fsheh mungesën e vullnetit për ta ndërtuar këtë rrugë. Duke kërkuar “analizë”, kjo nënkupton zvarritje shtesë. Nëse përgjigja është se “duhet të ndërtohet ‘rrugë ekspres’ e jo ‘autostradë’”, atëherë zvarritje do jetë shumë e madhe, me vite, pasi gjithçka duhet të nis nga fillimi: analizë e mirëfilltë, projektimi, shqyrtimi i eksproprijimit dhe në fund tenderimi! Pastaj sërish nga e para, duhet apo jo të vetfinancohen 12 kilometrat, apo të shkohet me kredi…
Që tani, pa e ditur fatin e 12 kilometrave të fazës së dytë, situata është bërë edhe më problematike në terren. Edhe pse faza e parë e projektit është përfunduar, segmenti prej 2 kilometrash nga Bllaca deri te Rrethrrotullimi i Dytë akoma nuk është lëshuar në përdorim – pikërisht për shkak të paqartësive dhe ndryshimeve në projektin e fazës së dytë. Në anën tjetër, mungesa e vullnetit për realizim reflektohet edhe në procesin e tenderimit.
Dhe, përkundër premtimeve të përsëritura kryesisht nga zyrtarët e VLEN-it, tenderi për ndërtimin e fazës së dytë (12 kilometrat) nuk është shpallur akoma. Premtimet janë përsëritur pothuajse çdo muaj, por pa asnjë rezultat konkret – herë për financim me mjete vetanake, herë me kredi, ndërsa në praktikë projekti mbetet i bllokuar. Së fundmi, konkretisht në muajin shkurt, zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka thënë se kanë mbaruar të gjitha procedurat e tenderimit dhe pritet vetëm përgjigja e BERZH-it.
“Kalohen të gjitha procedurat e tenderimit. Ajo procedurë është kaluar me sukses, mandej pas procedurës së tenderimit, duhet të bëhet edhe evalvuimi, i cili është bërë nga ana jonë, pasi për autostradën Shkup-Bllacë kemi një pjesë të grantit, por edhe një pjesë të kredisë që merret nga BERZH, gjithçka tani varet prej tyre. Presim sinjal pozitiv, dmth i gjithë dokumentacioni është dorëzuar në zyrat e tyre, presim që ata te evalvuojnë, besoj që nuk do të ketë asnjë problem apo asnjë vërejtje nga ana e tyre, kur të marrim ndonjë përgjigje pozitive, shumë shpejtë do të dalim në terren për fillimin e punimeve”, ka thënë Zekolli-Shaqiri. Por, përveç deklaratave, asgjë konkrete në terren.










