Policia e Kosovës ka dhënë detaje zyrtare lidhur me vdekjen e një 27-vjeçari në Lipjan, i cili ndërroi jetë pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë.
Sipas njoftimit të policisë, më 7 korrik, rreth orës 00:12, janë pranuar gjashtë telefonata nga qytetarë të ndryshëm që raportuan për një person me sjellje agresive në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Sipas dëshmitarëve, personi paraqiste rrezik të përgjithshëm për kalimtarët, pasi po i sulmonte ata, ndiqte automjete dhe tentonte të futej në to.
Njësitë policore reaguan menjëherë, dhe sipas njoftimit zyrtar, edhe në prani të tyre personi vazhdoi me sjellje të pakontrollueshme dhe të rrezikshme.
Për shkak të rezistencës aktive dhe tentimit për sulm ndaj zyrtarëve, ishte përdorur sprej mbrojtës për neutralizimin e tij.
Policia shton se për 5 deri në 6 minuta zyrtarët tentuan të negocionin me të riun për ta bindur që të shoqërohej vullnetarisht në stacionin policor.
Mbikëqyrësi i ndërrimit kishte thirrur edhe ndihmën e shpejtë, duke vërejtur gjendjen e tij psikologjike dhe shëndetësore.
Megjithëse i riu tentoi të largohej, ai u arrestua nga zyrtarët policorë. Ambulanca kishte arritur në vendin e ngjarjes pas tre minutash, por ekipi mjekësor konstatoi vdekjen e tij.
Në vendin e ngjarjes u gjetën disa gjësende personale dhe një substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike, e cila është dërguar për ekzaminim.
Policia konfirmon se, përveç njësive hetimore dhe Prokurorit për Krime të Rënda, në vendngjarje ka dalë edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK). Janë sekuestruar pamjet nga kamerat e sigurisë dhe të gjitha provat janë dorëzuar për hetim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është inicuar hetim penal, ndërsa trupi i të ndjerit është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Policia njofton se katër zyrtarë policorë dhe një rreshter janë suspenduar me rekomandim të IPK-së dhe janë dërguar në mbajtje pas ri-kualifikimit të veprës penale.
Në fund të komunikatës, Policia e Kosovës thekson se është duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet kompetente për zbardhjen e plotë të rastit, dhe se rezultatet përfundimtare do të dihen pas përfundimit të hetimeve dhe raportit të obduksionit.










