Dy kandidatët për kryetar të komunës së Gostivarit Valbon Limani nga radhët e koalicionit AKI dhe Nevzat Bejta nga radhët e koalicionit VLEN, nisin fushatën zgjedhore. Kandidati i AKI-së thotë se kësaj radhë do të fokusohet më tepër te vizitat derë në derë dhe shpalosja e ofertës së tij për katër vitet e ardhshme, ndërsa fushatën do e përfundoj me tubim qendror në sheshin e qytetit.
“Deri në nëntë janar do kemi takime të drejtpërdrejta me qytetarët pra me takime direkte dhe në fokus do të jetë qytetari. Fokusi do të jetë qytetari dhe do e dëgjojmë, e për atë se çka kemi premtuar qytetarët e kanë parë edhe para 19 tetorit, po mbi të gjitha do jetë një kampanjë korrekte e qetë demokratike dhe do shpalosim idetë e mendimet tona qytetarëve tanë”, deklaroi Valbon Limani, kandidat për kryetar i koalicionit AKI.
Kandidati i VLEN për kryetar të komunës së Gostivarit Nevzat Bejta fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 11 janarit do ta fokusojë te vizitat nëpër lagjet e Gostivarit, ndërsa do ta përmbyllë me tubim qendror në sheshin e qytetit.
“Do vizitoj çdo lagje e fshat pra çdo cep, për të marr mendimin e qytetarëve se çka kanë bë për tetë vitet e shkuara, dhe si ata e kanë vjedhur dhe shkatërruar qytetin e Gostivarit. Me sa kam parë në takime, qytetarët janë shumë të zhgënjyer nga qeverisja e Taravarit dhe shumë janë të revoltuar dhe presin 11 janarin që ti japin fund kësaj plaçkitjeje dhe keqpërdorimeve”, tha Nevzat Bejta, kandidat për kryetar i koalicionit VLEN.
Zgjedhjet lokale në komunën e Gostivarit do të mbahen sërish më 11 janar për shkak të dështimit të procesit për shkak të mos arritjes së censusit në 19 tetor. /Alsat.mk





