Plot 4 vite më parë, përfaqësues të BDI-së u mblodhën para komunës së Gostivarit, për të zbrazur mbeturina të shumta, në shenjë proteste ndaj kryetarit të asaj kohe, Arben Taravari. Ata ankoheshin se Taravari nuk e kishte përmbushur premtimin e tij parazgjedhor për një Gostivar të pastër, si dhe problemet me Rusinon.
Sot, gjendja me mbeturinat në Gostivar është po ajo. Qyteti u trashëgua nga mëkëmbësi i Taravarit, Valbon Limani, i cili sërish kandidon për Gostivarin. Edhe sot e kësaj dite, mbeturinat krijojnë deponi të vogla në rrugët e qytetit, ndërkohë që në shumicën e rasteve, shqyhen e grisen nga qentë.
Kjo që shihni nuk është ekspozitë e mobilieve, televizorëve apo thasëve shumë ngjyrësh… Është pamja e sotme nëpër disa rrugë të Gostivarit, me një dallim – BDI-ja nuk proteston për shkak të koalicionit në emër të Aleancës Kombëtare për Integrim. Banorët thonë se pamja me ditë të tëra është e njëjtë.
“A nuk e sheh vetë se nuk është në rregull kjo. Kjo është e rrezikshme sëmundje bart se i hedhin gjithkund, turp është kjo. Njëqind mijë herë kemi kërkuar, po s’na lënë as të hipim lartë në komunë”, tha një banor.
“Nuk e di sa është normale kjo por gjithnjë kështu është pamja. Nuk e di çka bëjnë ata të komunës”, u shpreh njw banor tjetër.
“Kjo kështu të paktën një javë rrinë. Meqë nuk pastrojnë nuk është në rregull kjo”, theksoi njw banor.
Ndërmarrja Publike e Gostivarit pranon se menaxhimi me mbeturinat shkon rëndë, ndërsa fajin e hedh tek mungesa e punëtorëve, lukuiditeti i dobët i ndërmarrjes por edhe tek disa qytetarë të pandërgjegjshëm.
“Vërtetë kemi probleme shumë me mbledhjen e mbetjeve. Ne me kapacitetet që i kemi mundohemi ti kryejmë shërbimet, por ka edhe qytetarë të pandërgjegjshëm që hedhin mbeturina kudo, siç janë mbetjet e ngurta dhe materiale kur rinovojnë shtëpitë, dhe kjo pengon shumë”, tha Artana Asani. Drejtoreshë e NP “Komunalec” Gostivar.
Kreu i komunës së Gostivarit, thotë se janë ndërmarrë masa për përmirësimin e situatës.
“Një kombinim do jetë i kontejnerëve me vëllim më të madh por që do zënë më pak vend! Paralel me këtë do punojmë edhe në ngritje të vetëdijes sepse edhe disa qytetarë në situata të caktuar sillen siç nuk duhet të sillen”, tha Valbon Limani, kryetar i komunës së Gostivarit.
Gjatë fushatës, ish kreu i komunës së Gostivarit Arben Taravari kishte bërë premtime të shumta. Tani, në fushatën e re, do të dëgjojmë për premtime të reja, pavarësisht se sipas premtimeve të vjetra, 2025-a duhej të ishte viti i përfundimit të realizimeve paraprake, atë për klasifikim selektiv të mbeturinave. / Alsat.mk










