Sipas Valbon Limanit, Komunës së Gostivarit për transport të nxënësve i mbetet një barrë që kap vlerën prej 1 milion euro brenda një viti kalendarik.
Gostivar, 16 mars – Transporti i nxënësve në disa shkolla të Komunës së Gostivarit nuk realizohet. Kjo për shkak se njëri prej operatorëve tashmë ka ndërprerë përkohësisht këtë shërbim, sepse nuk janë paguar mjetet. Në ndërkohë, kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, është shprehur se punojnë për të gjetur zgjidhje afatgjate, ndërsa kërkon mbështetje edhe nga pushteti qendror, respektivisht nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ai tha se pjesa më e madhe e mjeteve që ndahen për arsim nga pushteti qendror janë për pagat e punëtorëve në arsim, ndërsa shpenzimet tjera, si transporti i nxënësve, furnizimi me naftë dhe energjia elektrike, mbeten detyrim i komunës.
“Njëri prej operatorëve e ka ndërprerë transportin e nxënësve për shkak të borxheve që janë akumuluar. Ky problem ka qenë edhe në të kaluarën, është aktual dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse viteve të fundit bllok-dotacionet për arsim thuajse 100 për qind shkojnë për rrogat e mësimdhënësve, dhe nga ana tjetër shërbimet, siç janë transporti i nxënësve, nafta gjatë dimrit, energjia elektrike, të gjitha i mbesin si barrë komunës”, deklaroi Limani.
Sipas Limanit, Komunës së Gostivarit për transport të nxënësve i mbetet një barrë që kap vlerën prej 1 milion euro brenda një viti kalendarik. Sipas tij, kjo kosto është shumë e lartë dhe zgjidhja mbetet të kërkohet përmes pushtetit qendror. “Pra bëhet fjalë për një barrë që është mbi një milion euro në vit, dhe realisht si komunë këtë barrë nuk mund t`a mbajmë. Do të kërkojmë takim me ministren e arsimit dhe gjithë faktorët tjerë që të gjejmë zgjidhje për këtë problem”, deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani.
Sipas Limanit, në një takim të mëhershëm me Ministren e Arsimit, Vesna Janevska, nga ajo është kërkuar që të zvogëlohet numri i mësimdhënësve, por ky propozim nuk është pranuar nga Limani. Ai tha se do të kërkohet zgjidhje që mos dëmtohen as mësimdhënësit dhe as transportuesit. “Një takim që e kemi pasur me ministren, na është thënë që të bëjmë optimizim, që nënkupton largimin e një numri të madh të mësimdhënësve nga puna që është më shumë e dhimbshme se sa ky problem aktual”, tha Limani.
Komuna e Gostivarit po shqyrton alternativë për gjetjen e zgjidhjes së këtij problemi i cili nuk do të prekte as operatorët që bëjnë transportin e nxënësve por edhe mësimdhënësit. Ndërkohë, derisa të gjendet një zgjidhje, transporti i nxënësve mbetet barrë e prindërve, por edhe kjo nuk do të zgjasë shumë. (koha.mk)










