Përfaqësimi i grave në prokuroritë publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut po shënon një ndryshim të dukshëm, duke reflektuar trend pozitiv drejt balancës midis burrave dhe grave në sistemin e drejtësisë. Të dhënat e fundit, të publikuara në raportin vjetor të Këshillit të Prokurorëve Publikë, tregojnë se gratë tashmë përbëjnë shumicën e trupës prokuroriale në nivel vendi. Sipas këtyre të dhënave, në total janë 194 prokurorë publikë, nga të cilët 107 janë gra, që përbëjnë 55% të numrit të përgjithshëm. Në anën tjetër, burrat janë 87, ose 45%, duke mbetur në pakicë.
Kjo epërsi e grave është veçanërisht e theksuar në disa prej institucioneve më të mëdha. Në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit, gratë dominojnë ndjeshëm, ndërsa në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ato përbëjnë shumicën dërrmuese të stafit prokurorial. Po ashtu, në disa qytete si Velesi, i gjithë stafi i prokurorëve përbëhet nga gra, duke e bërë këtë një rast unik në nivel vendi.
Ashtu sikurse me disa prokurori që dominohen vetëm nga gratë, në prokurori të caktuara, si në Tetovë apo Koçan, dominojnë burrat.
Në infografikun më poshtë janë të paraqitur në numër dhe përqindje, përfaqësimi i grave dhe burrave në Prokuroritë e Maqedonisë së Veriut.










