Nga lista e lojtarëve të përzgjedhur për ndeshjet e marsit nga trajneri i kombëtares shqiptare, Sylvinho, vëmendjen e ka marrë emri i mbrojtësit të AEK Athens, Stavro Pilo, i cili pritet të debutojë me fanellën kuqezi në kualifikueset e Kupës së Botës.
24-vjeçari, që aktivizohet në krahun e majtë të mbrojtjes, po kalon një sezon pozitiv me ekipin e tij në Greqi, ku ka zhvilluar 33 ndeshje dhe ka kontribuar me katër asistime. Ai kishte marrë më herët shtetësinë greke dhe kishte ndryshuar mbiemrin nga “Pilo” në “Pelios”.
Megjithatë, Stavro Pilo ka vendosur të rikthejë mbiemrin e tij origjinal shqiptar, duke bërë një hap të rëndësishëm edhe në aspektin identitar. Nën këtë emër, ai tashmë është përfshirë në listën e kombëtares shqiptare.
I lindur me rrënjë nga Finiq, Stavro Pilo ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, duke mbajtur mbiemrin e lindjes në fanellë dhe duke hapur një kapitull të ri në karrierën e tij.
Vendimi i tij shihet si një zhvillim i rëndësishëm për përfaqësuesen kuqezi, e cila fiton një mbrojtës dinamik dhe me përvojë në krahun e majtë, ndërsa për vetë lojtarin përfaqëson një rikthim të fortë tek identiteti dhe rrënjët e tij.










