Greqia ka ndaluar transportin e deleve dhe dhive në të gjithë vendin në përpjekje për të frenuar një infeksion shumë ngjitës të njohur si “murtaja e dhive”.
“Lëvizja e deleve dhe e dhive për mbarështim dhe therje është e ndaluar në të gjithë Greqinë”, tha ministria e bujqësisë, shkruajnë mediat e huaja.
Ajo theksoi se raste të reja të infeksionit ishin zbuluar në rajonin qendror të Larisës dhe në Korinth në jug.
Virusi, i njohur gjithashtu si Peste des Petits Ruminants (PPR), mund të vrasë midis 80% dhe 100% të kafshëve të infektuara.
Ai megjithatë nuk prek njerëzit.
Në një deklaratë të hënën, ministria greke e bujqësisë tregoi se ndalimi ishte futur “me synimin për të kufizuar përhapjen dhe çrrënjosjen e sëmundjes”.
Fermerët blegtoralë, djathëbërësit, pronarët e thertoreve dhe furnizuesit e ushqimit ishin informuar për kufizimet e reja.
Në fundjavë, zyrtarët e ministrisë zhvilluan gjithashtu takime urgjente me autoritetet lokale në rajonet ku ishin zbuluar rastet e reja të PPR.
Ministria bëri të ditur se një hetim ishte duke u zhvilluar për të përcaktuar burimin e shpërthimit, duke mos përjashtuar “importet e dyshimta” nga jashtë.
Rregulloret e BE-së thonë se e gjithë tufa duhet të asgjësohet pasi të konfirmohet një rast PPR, me fermën e prekur më pas që duhet të dezinfektohet.
Të paktën 7,000 kafshë janë shkatërruar tashmë në Greqi që kur sëmundja u shfaq për herë të parë në vend më 11 korrik.
Greqia ka numrin më të madh të dhive në Evropë. Qumështi i dhisë dhe deleve përdoret për të bërë djathë feta – një produkt i markës greke.
PPR u raportua për herë të parë në Bregun e Fildishtë në 1942 dhe që atëherë është përhapur globalisht.