Trendy
Screenshot

Greqia nis operacion për mbylljen e rreth 60 xhamive të paregjistruara

Para 3 orë

Autoritetet greke kanë nisur një operacion kontrovers për mbylljen e rreth 60 objekteve të paregjistruara fetare – kryesisht xhami – në zonën më të gjerë të Athinës dhe rajonit të Atikës. Sipas paralajmërimeve, personat që menaxhojnë objekte të tilla ilegale mund të përballen me heqjen e lejeve të qëndrimit dhe deportim, përcjell tetova1

Masa është iniciuar nga ministri i Migracionit, Thanos Plevris, dhe arsyetohet me çështje sigurie. Autoritetet greke i referohen incidenteve të viteve 2024 dhe 2025, si dhe faktit se disa prej këtyre hapësirave funksionojnë në kushte të papërshtatshme – në bodrume, depo dhe parkingje pa standarde bazë të mbrojtjes nga zjarri dhe higjienës.

Në kuadër të Ligjit të ri 5224/2025, parashihet kontroll më i rreptë ndaj objekteve fetare të paregjistruara, si dhe mundësia e anulimit të lejeve të qëndrimit për personat që organizojnë ose përdorin këto hapësira.

Vendimi ka shkaktuar debat të madh publik në Greqi. Mbështetësit e masës vlerësojnë se ligjet duhet të vlejnë njësoj për të gjithë dhe se mbyllja e objekteve ilegale është zbatim legjitim i ligjit. Në anën tjetër, kritikët paralajmërojnë se masat janë joproporcionale dhe mund të rrezikojnë të drejtën për liri fetare.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësim se politikat e reja të migracionit mund të çojnë në kërcënime për deportim ndaj një numri të madh personash, vetëm pse praktikojnë fenë në hapësira të paregjistruara.

Sipas raportimeve të Greek Reporter, Religion News Service dhe The European Conservative, rasti ka hapur tashmë një debat më të gjerë evropian mbi balancën mes sigurisë, migracionit dhe lirive fetare./tetova1.mk

Trending