Trendy

“Grua deri në 400 euro” – Kur martesa bëhet tregti dhe gruaja kthehet në mall pazari!

Para 8 muaj

Një praktikë shqetësuese vazhon të jetë realitet i hidhur në disa rajone të Maqedonisë së Veriut, ku burra të pamartuar nga Serbia, por së fundi edhe nga Maqedonia e Veriut, kryesisht nga komuniteti maqedonas, po kërkojnë të martohen me gra nga Shqipëria përmes sekserëve apo ndërmjetësimit me pagesë, përcjell INA.

Një shpallje e publikuar së fundmi në një faqe të njohur për shitblerje në Facebook, “Pazar5.mk”, ka ngjallur reagime të shumta në rrjet.

Në shpallje, një burrë kërkon “grua nga Pusteci ose Pogradeci deri në 400 euro”, duke e paraqitur martesën si një marrëveshje tregtare.

Zona e Pustecit, e banuar nga pakica maqedonase dhe bullgare në Shqipëri, është në fokusin e kësaj teme. Shuma e përmendur prej 400 eurosh dyshohet se është pagesa për sekserët që ndërmjetësojnë këto “martesë të organizuara”.

Ky fenomen nuk është i izoluar. Burime lokale konfirmojnë se në disa rajone të Shqipërisë së veriut dhe juglindjes, vajza të reja janë përfshirë në këto lloj martesash, të cilat ngjajnë më shumë me transaksione sesa me bashkime vullnetare.

Sociologë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut shprehen të alarmuar për këtë dukuri, duke e cilësuar si formë moderne të trafikimit dhe shkelje të rëndë të dinjitetit të grave. Kjo situatë kërkon një reagim të shpejtë nga autoritetet e dy vendeve për të hetuar dhe ndaluar rrjetet e sekserëve dhe për të mbrojtur të drejtat e grave shqiptare.

Shpallje të tilla janë dëshmi e qartë se në mungesë të kontrollit dhe ndërgjegjësimit, rrjetet sociale po përdoren për qëllime abuzive, duke banalizuar institucionin e martesës dhe duke kthyer gruan në objekt tregu.(INA)

Trending