Një ngjarje shqetësuese është raportuar në Tetovë, ku një grua 77-vjeçare ka rënë viktimë e një mashtrimi të sofistikuar. Sipas njoftimit të bërë në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë më 26 qershor, rreth orës 17:30, viktima ka raportuar se mëngjesin e po asaj dite, rreth orës 11:00, një person i panjohur i është paraqitur përmes telefonit duke u prezantuar si “inspektor policor”.
Mashtruesi i kishte thënë se vajza e saj kishte përplasur me veturë një fëmijë të mitur dhe se për të shmangur arrestimin e saj, duhej të paguhej një shumë parash. Gruaja, në gjendje paniku dhe frike për fatin e vajzës, i kishte dorëzuar mashtruesit shumën prej 4.200 eurosh në një vend të caktuar që i ishte komunikuar paraprakisht.
Vetëm pas disa orësh, pasi kontaktoi me vajzën, kuptoi se nuk kishte ndodhur asnjë aksident dhe e raportoi rastin në polici. SPB Tetovë konfirmon se janë duke ndërmarrë masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e autorit të kësaj vepre penale. Policia u bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të mos dorëzojnë para ndaj kërkesave të panjohura telefonike.










