Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, i cili prej vitit 2018 jeton në Budapest, ka marrë shtetësi të plotë hungareze në vitin 2022. Lajmi është publikuar nga portali investigativ “VSquare”, duke iu referuar burimeve brenda qeverisë hungareze.
Sipas këtyre burimeve, Gruevski vazhdon të qëndrojë në Hungari, gjë që e bën pothuajse të pamundur ekstradimin e tij në Maqedoninë e Veriut.
Portali thekson se shtetësia hungareze i është dhënë në bazë të “interesit kombëtar të Hungarisë”, duke i siguruar atij mbrojtje juridike shumë më të fortë sesa azili politik që kishte marrë më herët nga qeveria e kryeministrit hungarez Viktor Orbán.
Sipas “VSquare”, ndryshe nga azili politik që mund të revokohet, heqja e shtetësisë është një procedurë shumë më e ndërlikuar ligjore dhe kërkon dëshmi se ajo është fituar përmes mashtrimit apo korrupsionit. Një proces i tillë do të nënkuptonte edhe hetim ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë hungareze të asaj kohe.
Çështja është rikthyer në fokus pas zhvillimeve të fundit politike në Hungari dhe deklaratave të liderit opozitar Péter Magyar, i cili ka paralajmëruar se Hungaria nuk do të jetë më strehë për persona të akuzuar për vepra penale. Pas këtyre deklaratave, disa politikanë që kishin përfituar azil në Hungari raportohet se janë larguar nga vendi.
Gruevski u arratis nga Maqedonia në nëntor të vitit 2018, pak para se të niste vuajtjen e dënimit me dy vjet burg në rastin “Tanku”, që kishte të bënte me blerjen e një veture luksoze “Mercedes” në vlerë prej rreth 600 mijë eurosh.










