Veterani i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Xhemë Lamallari, i njohur ndryshe si Komandant Baruti, ka reaguar ashpër pas largimit nga puna të vëllait të tij, duke e cilësuar këtë veprim si një formë të hakmarrjes politike të orkestruar nga strukturat aktuale të pushtetit në Shkup.
Në një postim të bërë publikisht, Lamallari shkruan se vëllai i tij u shkarkua pas 13 vitesh pune në institucionet publike të qytetit të Shkupit, dhe e lidh këtë vendim me marrëveshjen politike mes BDI-së dhe kryetares së qytetit, Danella Arsovska.
“E kuptoj panikun e atyre që po japin shkelmat e fundit. Më vjen keq për vëllain tim që u bë viktimë, por kjo më jep edhe më shumë bindje se kam qenë në anën e duhur kur kam përkrahur birin e kësaj toke, Izet Mexhitin,” – shkruan Lamallari.
Duke e quajtur shkarkimin një “goditje personale me sfond politik”, Lamallari paralajmëron se në zgjedhjet lokale të tetorit, qytetarët do të përgjigjen me “revolucion në kutitë e votimit”.
Ai u bën thirrje qytetarëve që të ndëshkojnë me votë, siç thotë ai, “strukturat e vjetra politike që përdorin hakmarrjen si mjet për të ndëshkuar kundërshtarët politikë dhe familjarët e tyre”.










