Trendy

Hapet këshillimorja e parë psikologjike për fëmijë dhe adoleshentë në Maqedoni

Para 3 orë

Në Institutin e Shëndetit Publik sot u hap këshillimorja psikologjike për fëmijë dhe adoleshentë, e para e këtij lloji në vend, e cila do të ofrojë mbështetje profesionale për fëmijët, adoleshentët, prindërit dhe mësimdhënësit përmes sistemit “Termini Im”, përcjell TV21. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Maria Andonovska, tha se hapja e kësaj këshillimoreje është pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet publike.

Sipas saj, ekspertët do të punojnë me fëmijët, adoleshentët, prindërit dhe mësimdhënësit për tejkalimin e sfidave emocionale, familjare dhe shkollore. Në kuadër të këshillimores do të zhvillohen biseda profesionale dhe do të jepen udhëzime për zhvillimin emocional, aftësitë komunikuese dhe përballimin e problemeve me të cilat përballen fëmijët në periudha të ndryshme të jetës.

Shërbimet do të jenë të qasshme përmes rekomandimit nga mjeku amë dhe sistemit “Termini Im”, duke u mundësuar qytetarëve të marrin mbështetje psikologjike në kuadër të shëndetësisë publike.

Përveç hapjes së këshillimores, në Institutin e Shëndetit Publik u prezantuan edhe pajisje të reja mjekësore dhe laboratorike, si dhe aparatura që më parë nuk ishin vënë në funksion. Andonovska bëri të ditur se janë krijuar kushtet teknike dhe hapësinore për aktivizimin e pajisjeve të kushtueshme që prej vitesh nuk ishin përdorur.

Ajo njoftoi gjithashtu se është vënë në funksion një stacion i dhuruar nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA), i cili siguron në kohë reale të dhëna për radioaktivitetin në ajër, si dhe pajisje të reja kompjuterike për nevojat e institutit.

Andonovska theksoi se është zgjeruar edhe lista e shërbimeve laboratorike, duke përfshirë analiza që deri më tani kanë qenë të kufizuara në sistemin publik shëndetësor. Sipas saj, qëllimi është që qytetarët që nuk kanë mundësi financiare për t’i kryer këto analiza në laboratorët privatë, t’i marrin ato edhe në institucionet shtetërore.

Trending