Trendy

Hapet Qendra Shëndetësore Multidisiplinare Heimerer në Tetovë

Para 45 minuta
Në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, sot, me një ceremoni solemne, u bë hapja zyrtare e Qendrës Shëndetësore Multidisiplinare Heimerer – Tetovë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në avancimin e shërbimeve shëndetësore dhe mbështetjes profesionale për komunitetin. Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të menaxhmentit të Universitetit, partnerë ndërkombëtarë dhe mysafirë të shumtë.
Në fjalimin e tij përshëndetës, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, Rektor i Universitetit të Evropës Juglindore, theksoi rëndësinë e veçantë që ka hapja e kësaj qendre për universitetin dhe për rajonin e Pollogut. Si bashkëthemelues, ai nënvizoi përkushtimin e universitetit për të mbështetur iniciativa që kontribuojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e komunitetit dhe zhvillimin e shërbimeve profesionale.
Fjalim rasti mbajti edhe Petrit Beqiri, Kryetar i Bordit Drejtues të Kolegjit Heimerer, i cili vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional dhe rëndësinë e zgjerimit të shërbimeve cilësore në rajon.
Me fjalime përshëndetëse u paraqitën edhe Nuhi Shala, Konsull nga Ambasada e Republikës së Kosovës, si dhe Mark Barrett, përfaqësues i GIZ – Shoqëria për Bashkëpunim Ndërkombëtar, të cilët e vlerësuan këtë iniciativë si një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit të shëndetësisë dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në vijim të programit, të pranishmit ndoqën videon prezantuese “Rruga e Qendrës Shëndetësore Multidisiplinare Heimerer – nga origjina deri te hapja në Tetovë”.
Njëra nga terapistet në Qendrën Heimerer në Tetovë, Erika Hoti, prezantoi misionin e qendrës dhe u ndal veçanërisht te puna e klinikës së autizmit, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së specializuar për fëmijët dhe familjet e tyre.
Qendra Shëndetësore Multidisiplinare Heimerer është një institucion i specializuar që ofron shërbime të integruara shëndetësore dhe terapeutike, me fokus në qasje multidisiplinare dhe trajtim të personalizuar, duke kontribuar në përmirësimin e mirëqenies dhe standardeve të kujdesit në rajon.
Në këtë ditë të veçantë, që përkon edhe me Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, hapja e kësaj qendre merr një domethënie edhe më të madhe, duke reflektuar përkushtimin për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të ofruar mbështetje profesionale për personat me çrregullime të spektrit të autizmit dhe familjet e tyre.

Trending