Trendy

Helmi për minjtë në ushqimin për foshnje, arrestohet në Austri personi që kontaminoi kavanozat dhe i bëri shantazh kompanisë

Para 2 orë

Një person është ndaluar në Austri si i dyshuar për përfshirje në një rast të kontaminimit të ushqimeve për foshnje dhe një tentative shantazhi ndaj një kompanie prodhuese.

Prokuroria në Eisenstadt konfirmon se bëhet fjalë për një 39-vjeçar. Autoritetet nuk kanë publikuar identitetin e tij dhe nuk kanë sqaruar ende motivet e plota.

Hetimet tregojnë se disa kavanoza me ushqim për bebe janë manipuluar me helm për minj dhe janë shpërndarë në Austri, Çeki dhe Sllovaki. Deri tani janë identifikuar pesë produkte të dyshuara. Në një kavanoz me përmbajtje karrota dhe patate, analizat kanë zbuluar prani helmi.

Policia po verifikon edhe një rast tjetër të mundshëm kontaminimi. Rreziku për konsumatorët e vegjël e ka shtyrë hetimin të trajtohet me prioritet.

Kompania e përfshirë ka sqaruar se nuk ka problem në procesin e prodhimit dhe e konsideron rastin si ndërhyrje të jashtme kriminale. Sipas saj, çështja nisi pas një emaili kërcënues të dërguar në një adresë të përgjithshme, çka çoi në njoftimin e menjëhershëm të policisë dhe ngritjen e një strukture për menaxhimin e situatës.

Autoritetet nuk kanë bërë publike kërkesat që dyshohet se janë paraqitur në kuadër të shantazhit.

Trending