Trendy

Hetime tronditëse në Austri për ‘Sarajevo Safari’: Dy nën hetim, paguanin për të vrarë civilë gjatë luftës në Bosnje

Para 4 orë

Autoritetet austriake po hetojnë dy persona të dyshuar se morën pjesë në ture snajperësh ku objektiva ishin gra, fëmijë dhe civilë në Sarajevën e rrethuar

Një nga episodet më të errëta dhe më tronditëse të luftës në Bosnje po rikthehet në qendër të vëmendjes evropiane, pasi autoritetet në Austri kanë nisur hetime ndaj dy personave të dyshuar për pjesëmarrje në të ashtuquajturin “Sarajevo Safari” – një rrjet të dyshuar turizmi makabër ku evropianë të pasur paguanin për të qëlluar civilë gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet ’90.

Ministria austriake e Drejtësisë konfirmoi se hetimi u hap më 25 prill ndaj një shtetasi austriak dhe një personi tjetër ende të paidentifikuar, të dyshuar për pjesëmarrje në “ture snajperësh” gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Sipas akuzave që po hetohen, gjatë rrethimit të Sarajevës mes viteve 1992 dhe 1995, persona të pasur nga vende të ndryshme evropiane paguanin shuma të mëdha për të qëlluar mbi civilë nga pozicionet e snajperëve serbë që dominonin qytetin.

Rrethimi i Sarajevës konsiderohet një nga episodet më brutale të luftërave jugosllave. Gjatë afro katër viteve, qyteti u mbajt nën zjarr të vazhdueshëm nga forcat serbe të Bosnjës dhe rreth 14 mijë njerëz humbën jetën.

Sipas dëshmive të publikuara në libra dhe dokumentarë investigativë, “gjuetarët” e huaj strehoheshin nga milicitë serbe në pozicione strategjike, përfshirë varrezat hebraike mbi Sarajevë. Dëshmitarë pretendojnë se disa prej tyre paguanin më shumë për të vrarë gra shtatzëna dhe fëmijë.

Akuzat u bënë publike fillimisht në dokumentarin Sarajevo Safari të regjisorit slloven Miran Zupanic, ndërsa më pas u zgjeruan nga hetime të gazetarëve italianë dhe kroatë.

Një libër i publikuar muajin e kaluar nga gazetari kroat Domagoj Margetic pretendon se një nga snajperët ishte një aristokrat austriak i njohur me nofkën “Grof”, që në serbo-kroatisht do të thotë “Kont”.

Sipas autorit, ish-ushtarë serbë kujtonin se disa nga “gjuetarët” kalonin postblloqet duke treguar pasaporta austriake. Pretendime të ngjashme ekzistojnë edhe për shtetas britanikë, francezë, spanjollë, gjermanë dhe rusë.

Hetimi në Austri u nxit nga një pyetje parlamentare e bërë nga Alma Zadic, ish-ministre e Drejtësisë me origjinë boshnjake.

“Këto akuza lidhen me krimet më të rënda të luftës dhe duhet të hetohen plotësisht. Nuk mund të ketë pandëshkueshmëri”, deklaroi ajo.

“Ideja që njerëz mund të kenë paguar para për të qëlluar qëllimisht civilë – madje edhe fëmijë – është pothuajse e paimagjinueshme në mizorinë e saj”, shtoi Zadic.

Ndërkohë, edhe në Itali prokurorët kanë nisur hetime të ngjashme. Mediat italiane raportojnë se dy persona janë marrë tashmë në pyetje, përfshirë një ish-shofer kamioni 80-vjeçar të dyshuar për pjesëmarrje në këto aktivitete.

Gazetari italian Ezio Gavazzeni, autor i librit “The Weekend Snipers”, tha për “The Times” se hetimi austriak tregon se fenomeni mund të ketë qenë shumë më i përhapur nga sa besohej fillimisht.

“Ajo që po shohim është një efekt zinxhir në Europë. Duket qartë se dikush ka filluar të japë emra”, deklaroi ai.

Për dekada me radhë, historia e “Sarajevo Safari” u konsiderua si thashethem lufte apo legjendë urbane e errët e konfliktit boshnjak. Por hetimet e fundit po e transformojnë atë në një nga skandalet më të rënda morale dhe kriminale që lidhen me luftërat në ish-Jugosllavi.

Trending