Prokuroria Publike dhe Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk kanë arritur të përcaktojnë se kush qëndron prapa kompanive që prodhojnë kanabis për qëllime mjekësore, të cilat janë nën hetim pas konfiskimit të 40 tonëve marihuanë. Nga Ministria e Punëve të Brendshme shkurtimisht njoftojnë se procedura hetimore ende është në rrjedhë.
“Në koordinim dhe sipas udhëzimeve të Prokurorisë Publike procedura është ende në zhvillim dhe po ndërmerren masa dhe aktivitete përkatëse,” thanë nga Ministria e Shëndetësisë.
-Po merren masa dhe aktivitete të nevojshme
As Ministria e Shëndetësisë nuk jep më shumë detaje dhe nuk tregon nëse do të ketë konfiskime të tjera licencash apo janë hasur parregullsi të reja.
“Sa i përket personave juridikë të cilëve u është marrë licenca, ata janë nën mbikëqyrje të shtuar nga institucionet kompetente. Po zhvillohen kontrolle për të verifikuar nëse respektohet ndalimi për ushtrimin e veprimtarisë, ndërsa në rast të shkeljeve të konstatuara ndërmerren masa përkatëse ligjore,” deklaruan nga Ministria e Shëndetësisë.
-Personat juridikë, nën vëzhgim nga institucionet
-Në rast të shkeljeve do të merren masa përkatëse
Deri më tani 9 kompani që prodhojnë kanabis për qëllime mjekësore kanë mbetur pa licenca, si pasojë e keqpërdorimeve të konstatuara. Dyshimet për keqpërdorime me kanabisin për qëllime mjekësore nisën pasi në Serbi u sekuestruan 5 tonë marihuanë, që dyshohet se prejardhjen e kishin nga Maqedonia e Veriut. Pas këtij rasti, autoritetet në vend sekuestruan 40 tonë marihuanë nga kompani të licencuara për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore, ndërsa më pas u ndërmorën inspektime të jashtëzakonshme.









