Ndërmarrja Publike “Higjiena komunale” – Gostivar informon se analizat e vazhdueshme laboratorike konfirmojnë sigurinë e plotë të ujit të pijshëm nga rrjeti publik i furnizimit me ujë.
Informacionin e bazojnë në raportet zyrtare të marra nga Qendra e Shëndetit Publik të Tetovës – Njësia rajonale e Gostivarit, mostrat e analizuara tregojnë se uji i plotëson të gjitha standardet fiziko-kimike dhe mikrobiologjike dhe është në përputhje të plotë me normat ligjore për cilësinë dhe sigurinë e ujit të pijshëm.
“Testimet u kryen nga Laboratori 1103/2026, i cili është i akredituar sipas standardit ndërkombëtar MKC EN ISO/IEC 17025:2018 për testime kimike dhe mikrobiologjike të ushqimit dhe ujit, theksojnë nga NP “Higjiena komunale”.
Nga Ndërmarrja e cila menaxhon furnizimin me ujë në komunën e Gostivarit, theksojnë se mostrat janë marrë nga shtatë pika të rrjetit të shpërndarjes në vende të ndryshme: stacioni i benzinës Makpetrol – Rruga JNA, Ndihma e shpejtë – Spitali i Përgjithshëm, shatërvani publik përballë Stacionit policor, shatërvani në varreza – fshati Banjicë e poshtme, shatërvani publik para ndërtesës së Komunës së Gostivarit, shatërvani në xhami – fshati Zdunje, shatërvani publik – vendbanimi Ciglana.
“Për të gjitha mostrat e lartpërmendura, për sa i përket karakteristikave higjienike dhe teknike, është konstatuar përputhshmëri absolute me kriteret e përcaktuara për konsum të sigurt, theksojnë nga NP “Higjiena komunale”.
Prandaj, ata potencojnë se monitorimi dhe kontrolli i cilësisë së ujit do të vazhdojë rregullisht, përmes marrjes së mostrave ditore dhe analizave rigoroze, për të garantuar një furnizim të pandërprerë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët.
Në interes të transparencës institucionale dhe informimit të drejtë të publikut, përveç kumtesës, nga ndërmarrja komunale e shërbimeve publike ndan edhe rezultatet e analizave laboratorike në linkun e mëposhtëm.











