Huthët kanë zgjeruar kontrollin përgjatë bregdetit perëndimor të Jemenit dhe tashmë mbajnë pozicione strategjike pranë ngushticës Bab al-Mandab, një prej korridoreve më të rëndësishme detare në botë. Por si arriti një lëvizje e lindur në malet e Jemenit verior të fitonte një rol me ndikim rajonal?
Ofensiva e Huthëve më 10 dhe 11 shtator shënoi një ndryshim të rëndësishëm në ekuilibrat ushtarakë në Jemen. Forcat e tyre morën qytetin-port Mokha, ishullin Mayyun dhe avancuan drejt qytetit bregdetar Dhubab.
Këto territore kanë rëndësi përtej konfliktit jemenas. Mokha ka shërbyer si një pikë ushtarake dhe logjistike në bregdetin perëndimor të vendit. Dhubab ndodhet pranë hyrjes së ngushticës Bab al-Mandab, ndërsa Mayyun gjendet brenda vetë ngushticës. Pozicionet e reja u japin Huthëve mundësi më të mëdha për të ushtruar presion ndaj kundërshtarëve dhe për të kërcënuar një prej rrugëve kryesore të transportit detar ndërkombëtar.
Historia e Huthëve nis në Saada, një provincë e varfër dhe malore në skajin verior të Jemenit. Rajoni përbën historikisht qendrën e zaidizmit, një degë e islamit shiit që ndryshon nga shiizmi dymbëdhjetësh dominues në Iran.
Zaidizmi ndikoi për shekuj në jetën politike dhe fetare të Jemenit verior. Deri në vitin 1962, këtë pjesë të vendit e drejtonte një imamat zaidit.
Përmbysja e monarkisë dhe lufta civile që pasoi ndryshuan strukturën tradicionale të pushtetit. Familjet hashemite, të cilat e lidhin prejardhjen e tyre me Profetin Muhamed dhe ku bën pjesë edhe familja al-Huthi, humbën pozitën e privilegjuar. Në qendër të sistemit të ri politik dolën elitat fisnore dhe ushtarake.
Në dekadat që pasuan, institucionet zaidite u dobësuan, ndërsa Saada mbeti e margjinalizuar politikisht dhe ekonomikisht. Në të njëjtën kohë, në Jemenin verior u përhap salafizmi, një rrymë konservatore sunite që kishte mbështetje të konsiderueshme nga Arabia Saudite. Për shumë zaiditë në Saada, zgjerimi i saj përbënte kërcënim ndaj traditës së tyre fetare.

Në këtë mjedis, gjatë viteve 1980 dhe fillimit të viteve 1990, u formua lëvizja e njohur si “Rinia Besimtare”. Në fillimet e saj, ajo kishte kryesisht karakter fetar dhe kulturor. Synimi ishte të ringjallte mësimin zaidit te brezat e rinj dhe të mbronte një traditë që mbështetësit e saj e konsideronin gjithnjë e më të kërcënuar.
Rrënjët e Huthëve lidhen kështu me çështje lokale: identitetin fetar, mungesën e përfaqësimit politik dhe perceptimin e neglizhimit nga shteti.
Transformimi vendimtar i lëvizjes lidhet me Hussein Badr al-Din al-Huthi, nga i cili ajo mori më vonë edhe emrin. Fillimisht, Hussein veproi brenda sistemit politik republikan dhe nga viti 1993 deri më 1997 ishte deputet në parlamentin jemenas. Pas luftës civile të vitit 1994 dhe largimit nga politika parlamentare, qëndrimet e tij u radikalizuan gradualisht.
Gjatë qëndrimit të tij në Sudan, Hussein u ndikua nga modeli politik i revolucionit iranian dhe nga idetë e ajatollahut Ruhollah Khomeini për mobilizimin politik, rezistencën dhe kundërshtimin e ndikimit perëndimor. Kjo nuk nënkuptonte se ai përqafoi doktrinën fetare të Iranit. Zaidi dhe shiizmi dymbëdhjetësh iranian kanë dallime të rëndësishme teologjike. Për Hussein al-Huthin, revolucioni iranian shërbente kryesisht si model i mobilizimit politik.
Pas kthimit në Saada, ai e shndërroi gradualisht “Rininë Besimtare” nga një rrjet edukimi fetar në një instrument politik. Sulmet e 11 shtatorit 2001, reagimi amerikan dhe veçanërisht pushtimi i Irakut në vitin 2003 ndikuan më tej në retorikën e tij. Në këtë periudhë u përhap edhe slogani i njohur i lëvizjes, i cili përfshin thirrjet “Vdekje Amerikës” dhe “Vdekje Izraelit”, si edhe një formulim antisemit kundër hebrenjve.

Rritja e ndikimit të Hussein al-Huthit e futi lëvizjen në konflikt të drejtpërdrejtë me qeverinë e presidentit të atëhershëm Ali Abdullah Saleh. Në vitin 2004, forcat qeveritare vranë Hussein al-Huthin, por lëvizja nuk u shpërbë.
Përkundrazi, luftërat e vazhdueshme me shtetin i dhanë asaj përvojë ushtarake, armë, struktura më të qëndrueshme komanduese dhe aleanca fisnore. Konflikti krijoi gjithashtu një narrativë të përndjekjes që Huthët e përdorën për mobilizimin e mbështetësve.
Gjashtë luftërat e Saadas, të zhvilluara ndërmjet viteve 2004 dhe 2010, shkaktuan viktima të shumta dhe zhvendosjen e qindra mijëra njerëzve. Në vend që ta eliminonin lëvizjen, këto konflikte e militarizuan atë.
Gjatë kësaj periudhe u forcua edhe marrëdhënia e Huthëve me Iranin dhe Hezbollahun libanez. Teherani dhe Hezbollahu nuk e krijuan lëvizjen, e cila kishte rrënjë vendase dhe ekzistonte prej vitesh, por mbështetja e tyre ndihmoi në zhvillimin e kapaciteteve të saj. Hezbollahu ofronte një model veçanërisht të rëndësishëm: një organizatë arabe që ndërthurte strukturën ushtarake, mobilizimin politik, propagandën dhe institucionet sociale.
Një tjetër pikë kthese erdhi në vitin 2011. Në kuadër të kryengritjeve të Pranverës Arabe, dhjetëra mijëra jemenas protestuan kundër presidentit Ali Abdullah Saleh. Forcat e armatosura u përçanë, aleancat tradicionale ndryshuan dhe autoriteti i shtetit u dobësua.

Huthët shfrytëzuan boshllëkun politik për t’u zgjeruar përtej Saadas dhe për të forcuar kontrollin në veriperëndim. Më pas krijuan një aleancë paradoksale me ish-presidentin Saleh dhe pjesë të forcave ushtarake që vazhdonin t’i qëndronin besnike atij, të njëjtat struktura me të cilat kishin luftuar për vite.
Rrjetet ushtarake, armët dhe qasja në institucionet shtetërore që solli kjo aleancë luajtën rol të rëndësishëm në marrjen e kryeqytetit Sana në shtator 2014. Nga ai moment, Huthët nuk ishin më vetëm një lëvizje e armatosur e veriut. Ata kontrollonin kryeqytetin dhe pjesë të aparatit shtetëror.
Në mars 2015, një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërhyri ushtarakisht në Jemen. Objektivi i deklaruar ishte rikthimi i qeverisë së njohur ndërkombëtarisht dhe frenimi i zgjerimit të Huthëve.
Ndërhyrja e shndërroi konfliktin jemenas në një përballje me dimension të fortë rajonal. Huthët përdorën sulmet ajrore, viktimat civile dhe krizën humanitare për ta paraqitur veten si forcë që mbronte Jemenin nga ndërhyrja e huaj. Njëkohësisht, rëndësia e tyre strategjike për Iranin u rrit, pasi Teherani kishte tashmë një partner të armatosur pranë kufirit jugor të Arabisë Saudite.
Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe hynë së bashku në konflikt, por ndoqën prioritete jo gjithmonë të njëjta. Riadi u përqendrua te siguria kufitare dhe mbështetja e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Abu Dhabi ndërtoi marrëdhënie të forta me partnerë në jug dhe përgjatë bregdetit. Këto dallime kontribuuan në fragmentimin e kampit kundër Huthëve.
Pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023 dhe fillimit të luftës në Gaza, Huthët nisën sulme me raketa, dronë dhe mjete detare, të cilat i paraqitën si mbështetje për palestinezët dhe si pjesë të të ashtuquajturit “Boshti i Rezistencës”.
Çështja palestineze zë prej kohësh një vend të rëndësishëm në ideologjinë dhe propagandën e Huthëve. Por operacionet në Detin e Kuq sollën edhe përfitime strategjike për lëvizjen: rritën profilin e saj rajonal dhe ndërkombëtar dhe e kthyen pozicionin gjeografik të Jemenit në një instrument presioni.

Bab al-Mandab mori kështu rëndësi edhe më të madhe në strategjinë e Huthëve.
Zgjerimi i fundit përgjatë bregdetit jemenas është rezultat i një procesi që ka zgjatur disa dekada. Pakënaqësitë lokale krijuan bazën e lëvizjes. Luftërat me qeverinë e militarizuan atë. Dobësimi dhe fragmentimi i shtetit i hapën rrugën drejt Sanas. Ndërhyrja e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite i dha konfliktit përmasa rajonale, ndërsa mbështetja iraniane dhe lidhjet me Hezbollahun ndihmuan në zhvillimin e kapaciteteve të Huthëve.
Përçarjet brenda kampit kundërshtar u krijuan gjithashtu hapësirë për zgjerim.
Marrja e Mokhës, Dhubabit dhe Mayyunit i jep këtij procesi një dimension të ri territorial. Kjo nuk do të thotë se Huthët kontrollojnë automatikisht çdo anije që kalon në ngushticë apo se kanë kapacitete të pakufizuara ushtarake. Kontrolli territorial, aftësia për të kërcënuar lundrimin dhe kontrolli efektiv i trafikut ndërkombëtar janë çështje të ndryshme.
Megjithatë, Huthët nuk mund të përshkruhen më vetëm si një milici lokale. Po aq e paplotë do të ishte paraqitja e tyre thjesht si instrument i Iranit. Ata janë një aktor jemenas me struktura ushtarake dhe politike, me rrënjë të forta lokale, por njëkohësisht me lidhje dhe kapacitete që u japin ndikim përtej kufijve të Jemenit./Përshtati Pamfleti nga NZZ/











