Trendy
Screenshot

Hoxha refuzon varrimin me flamur kombëtar në Tetovë, flet për parime fetare, familja e quan mohim identiteti

Para 1 orë

Familja Ismaili nga fshati Llacë i Komunës së Tetovës ka hapur dyert e ngushëllimit për nënën e ndjerë. Mirëpo, ceremonia e varrimit gjatë ditës pati një incidente. Sipas familjarit Murat Ismaili, hoxha i fshatit, Bajram Xhezairi, ka refuzuar ta kryejë ritin e varrimit për shkak se mbi arkivol ishte vendosur flamuri kombëtar shqiptar. Murati sqaron se flamuri u hoq përkohësisht gjatë faljes së namazit, por rikthimi i tij pas lutjeve bëri që imami të braktisë ceremoninë.

“U fal, u përgatit dhe ishte faza e fundit për ta çuar. Dhe kur ne e rivendosëm flamurin — se kur erdhëm këtu flamuri ishte mbi arkivol — dhe thanë se duhet të hiqet për shkak se, edhe ne e dimë se sipas fesë islame nuk duhet të ketë figurë… Dhe ne, në momentin që ishte dovja sipas tyre që i kushtohet të vdekurit, ne e larguam flamurin. Por kur ceremonia mbaroi e gjitha dhe u desh të fillohet për të shkuar te varri, ne e vendosëm përsëri flamurin dhe aty lindi ajo që thanë: ‘Ne me këtë flamur nuk shkojmë”, tha Murat Ismaili.

Nga ana tjetër, imami i fshatit Llacë, Bajram Xhezairi, i hedh poshtë pretendimet se është kundër flamurit kombëtar. Sipas tij, bëhet fjalë për respektimin e parimeve fetare ku ritet kryhen pa simbole, marrëveshje kjo që sipas tij ishte praccepted më parë nga vetë familja.

“…po konkretisht ky personi kishte dalë prej fjale, se familja të gjithë ishin dakord që të veprohet si thotë hoxha dhe ashtu siç i është dhënë fjala hoxhës. Dhe kishte vendosur flamurin dhe në një moment pranoi që ta largojë, me kuptimin se jemi marrë vesh se ne nuk përdorim flamur. Dhe nuk i është kërkuar që ta zëvendësojë me një flamur tjetër, por që procedura të bëhet ashtu siç është rregulli i këtij fshati dhe ashtu siç janë varrosur të gjithë të tjerët. Dhe ai refuzoi. Dhe tha se: ‘Unë di të kujdesem vetë për varrimin e nënës sime’. Edhe duke i thënë se nuk di si ta varrosësh, tha: ‘Unë di ta varros edhe pa juve’. Thashë: ‘Atëherë kjo i bie që unë duhet të shkoj’. Tha: ‘Ju lirshëm mund të shkoni’. Domethënë kemi shkuar me propozimin e atyre dhe me vendimin e atyre se ata do të kujdesen dhe do ta varrosin vetë të ëmën e tyre”, u shpreh Bajram Xhezairi – imam i fshatit Llacë.

Përveç përplasjes për procedurën e varrimit, palët shkëmbyen edhe akuza të drejtpërdrejta me prapavijë ideologjike.

“Po në përgjithësi, me personin në fjalë që ka edhe një diçka tjetër që nuk duhet të tolerohet fare në pjesën tonë, një personalitet i dyshimtë i cili vjen me bindje të grupit të Deçanit, me bindje të Tim Shkupit, nuk mund të diktojë për veprimtarinë se si duhet të bëjë hoxha”, theksoi imami i fshatit Llacë, Bajram Xhezairi.

“Për mua është vëlla çdo gjithsecili që është dhe e ndien veten shqiptar. Aspak nuk më bën përshtypje cilit besim i takon. Ne respektojmë dëshirën e secilit dhe ai ka formën e vet se si të jetojë. Nuk kemi të drejtë, edhe si individ, edhe si shqiptar, por edhe si fetar që t’i përmbahemi atij”, potencoi Murat Ismaili.

Lidhur me këtë ngjarje, Televizioni 21 tentoi të marrë një qëndrim zyrtar nga Myftinia e Tetovës, mirëpo myftiu Selver Xhemaili deri në këto momente nuk ka qenë i qasshëm për prononcim.

Trending