Nëpërmjet një video-mesazhi në platformën sociale, Facebook, Sveçla tha se ligji i ri sjell procedura më të shpejta dhe më të thjeshtuara për marrjen e shtetësisë së Kosovës
Nga 22 maji ka hyrë në fuqi Ligji i ri për shtetësinë e Republikës së Kosovës, ka bërë të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Nëpërmjet një video-mesazhi në platformën sociale, Facebook, Sveçla tha se ligji i ri sjell procedura më të shpejta dhe më të thjeshtuara për marrjen e shtetësisë së Kosovës.
Sipas Sveçlës, një nga lehtësimet kryesore është mundësia për rifitimin e shtetësisë për qytetarët që për arsye të ndryshme janë detyruar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës.
Ai tha se, ndryshe nga më parë kur kërkoheshin 9 dokumente, tani nevojiten vetëm kërkesa e plotësuar dhe dëshmia se aplikuesi nuk është i dënuar për vepër penale me vendim të formës së prerë në shtetin ku jeton.
Gjithashtu, ai bëri të ditur se aplikimi për shtetësi tashmë mund të bëhet edhe online përmes platformës e-Kosova.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm, sipas tij, është shkurtimi i afatit të shqyrtimit të kërkesave: nga 6 muaj sa ishte më parë, tani procesi do të zgjasë deri në 30 ditë.









