Një rast shqetësues është regjistruar në një objekt hotelierik në rrugën “Bane Stefanoski” në Tetovë, ku një i mitur është kapur duke konsumuar alkool. Ngjarja është konstatuar gjatë një kontrolli aksion të zhvilluar nga policia lokale në ora 22:15.
Gjatë verifikimit, autoritetet kanë matur përqindjen e alkoolit në gjakun e të miturit dhe kanë konstatuar 0.50 promilë. Pas kësaj, ai është dorëzuar prindit të tij, N.J. nga Tetova.
Ndaj pronarit të lokalit do të përgatitet kallëzim penal për shkelje të nenit 204 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që ndalon shërbimin e pijeve alkoolike fëmijëve. Policia thekson se do të vazhdojë kontrollet në objektet hotelierike për të parandaluar raste të ngjashme.










