Trendy

I riu kosovar në kërkim nga policia gjermane, dyshohet se vrau një 15-vjeçar

Para 42 minuta

Një 15-vjeçar ka mbetur i vrarë dhe një 18-vjeçar është plagosur rëndë pas një sulmi me thikë në Marsberg të Gjermanisë, ndërsa Policia gjermane ka nisur kërkimin publik për dy të dyshuarit që dyshohet se janë përfshirë në përleshjen tragjike.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 19 shtatorit 2026, rreth orës 20:15-20:30, në landin Nordrhein-Westfalen (NRW), pas një përleshjeje mes katër personave.

Sipas informacioneve të raportuara, dy të dyshuarit dyshohet se kanë goditur me thikë 15-vjeçarin, i cili ka vdekur në vendin e ngjarjes si pasojë e plagëve të marra.

Në të njëjtin incident, një 18-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda në pjesën e fytyrës.

Dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të një borxhi prej 200 eurosh, megjithatë ky pretendim nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Policia gjermane.

Dy personat që ndodhen në arrati dhe po kërkohen nga autoritetet gjermane janë Albin Bejtullahu, me prejardhje nga Vushtrria e Kosovës, dhe Alex Olntasi, nga Greqia.

Policia gjermane u ka bërë apel qytetarëve që, në rast se i shohin të dyshuarit ose kanë informacione për vendndodhjen e tyre, të mos ndërmarrin veprime vetjake, por të njoftojnë menjëherë autoritetet.

Trending