Është përfunduar identifikimi i edhe viktimës së fundit në aksidentin e rëndë rrugor që ndodhi gjatë natës në unazën e Shkupit, te kryqëzimi i Mirkovcit. Bëhet fjalë për 20-vjeçarin M.Gj. nga Shkupi. Ai ishte shok i Adam Velkovit, i cili gjithashtu humbi jetën në të njëjtin aksident, së bashku me babain e tij Riste Velkov.
Sipas informacioneve të deritanishme, shoferi 76-vjeçar B.B. nga Kosova, duke drejtuar një kamion “MAN” me rimorkio dhe targa të Kosovës, ka humbur kontrollin e mjetit në unazë, midis mbikalimit të Vizbegovës dhe kryqëzimit të Mirkovcit.
Kamioni ka thyer mbrojtësen metalike dhe ka kaluar në korsinë e kundërt, ku është përplasur drejtpërdrejt me një veturë “BMW” në të cilën ndodheshin katër persona. Nga forca e goditjes, të dy automjetet janë përfshirë nga zjarri.
Sipas dëshmitarëve dhe informacioneve nga terreni, kamioni ka kaluar edhe dy barriera mbrojtëse, ka rrëzuar ndriçimin rrugor dhe më pas ka përfunduar në një humnerë. Edhe pse kabina e kamionit është djegur plotësisht, shoferi ka arritur të dalë dhe të shpëtojë.“Si pasojë e përplasjes është shkaktuar zjarr në të dy automjetet, nga i cili vetura dhe kabina e kamionit janë djegur plotësisht”, ka njoftuar MPB.
Në vendin e ngjarjes vdekja është konstatuar nga ekipi i Ndihmës së Shpejtë, ndërsa trupat e viktimave janë dërguar për obduksion me urdhër të prokurorit publik.
Shoferi i kamionit është arrestuar dhe ndodhet në stacion policor. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të ngrihet kallëzim përkatës. Hetimet pritet të zbulojnë se si ka ndodhur humbja e kontrollit të kamionit dhe shkaqet e kësaj tragjedie që mori katër jetë njerëzish.








