Ish-presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, në një intervistë nga paraburgimi ka shprehur falënderim publik ndaj zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikoloski, për ngritjen e çështjes së arrestimit të tij në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
“I jam sinqerisht mirënjohës zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, z. Nikoloski, për solidaritetin e tij. Të mos harrojmë se VMRO e njeh më mirë se kushdo ‘drejtësinë speciale’ të Sorosit me Katicën (Katica Janeva – v.j.) në krye, e cila përfundoi në burg për korrupsion. Asnjë parti nuk është përndjekur politikisht nga sistemi gjyqësor sorosoid si VMRO. Por ata treguan karakter dhe integritet dhe ja ku janë sot.
Më qesharakja është se për personin kryesor për të cilin u akuzuan Gruevski dhe VMRO, Sasho (Mijallkov – v.j.), drejtësia sorosoid u përpoq ta ndihmonte për ta përçarë VMRO-në. Pra, ata e kuptojnë shumë mirë rastin tim, sepse e dinë si funksionon drejtësia sorosoid”, deklaroi Meta për portalin “Syri.net”.
“Me këtë rast i uroj Maqedonisë së Veriut të ecë në rrugën e stabilitetit dhe zhvillimit, por edhe të harmonisë ndëretnike, duke respektuar Marrëveshja e Ohrit, për të cilën kemi punuar shumë në kohën kur unë isha kryeministër i Shqipërisë.
“Me dëshirën që çështja e përdorimit të gjuhës shqipe të zgjidhet me dinjitet, dua ta falënderoj Qeverinë e Maqedonisë që mban kufijtë e hapur për qytetarët tanë nga Korça dhe Pogradeci deri në Dibër, për të blerë karburant më të lirë, ushqime më të lira dhe ilaçe më të lira. Sigurisht, kjo nuk është një zgjidhje afatgjatë, por për momentin është një ndihmë e madhe për qindra mijëra shqiptarë që janë lënë pas dore nga qeveria e tyre”, shtoi Meta.
Ilir Meta, i cili ka qenë president i Shqipërisë nga viti 2017 deri në 2022, më parë kryeministër nga 1999 deri në 2002 dhe kryetar i Kuvendit nga 2013 deri në 2017, aktualisht është lider i Partisë së Lirisë.
Më 21 tetor 2024 ai u arrestua, ndërsa më 27 maj 2025 u akuzua zyrtarisht për korrupsion, pastrim parash, evazion fiskal dhe fshehje pasurie nga autoritetet, akuza të cilat ai i mohon kategorikisht. Seanca e parë gjyqësore është caktuar për 27 prill.(INA)










