Deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri Stafai, ka reaguar ndaj retorikës së tensionuar ndërmjet Arbër Ademit dhe Petar Bogojeskit, duke i cilësuar përplasjet mes tyre si pjesë e një skenari të orkestruar për rritje personale të rejtingut.
“Petar Bogojeski dhe Arbër Ademi janë shokë të vjetër dhe të mirë.
Kjo që po shohim është një skenar i stisur me sulme të ndërsjella, vetëm për të rritur rejtingun e tyre individual. Ademi do të duket si ‘shqiptari më i madh’, Bogojeski si ‘maqedonasi më i madh’. Është abuzim pas abuzimi – një model i vjetër dhe i tejdukshëm”, ka deklaruar ajo.
Sipas deputetes së VLEN-it, qytetarët nuk bien më pre e skemave nacionaliste që për dekada janë përdorur për të mbuluar mungesën e rezultateve. “Ajo matematikë etnike nuk kalon më. Marrëveshjet në stilin e Aliut dhe Gruevskit janë pjesë e të kaluarës. Maqedonia e Veriut i përket të gjithë popujve – është multietnike, multigjuhësore dhe multikulturore. Nacionalizmi i rremë përfundon me pasuri personale, qendra tregtare dhe hotele. Njerëzit nuk besojnë më në grindje të trilluar”, theksoi Imeri Stafai.