Trendy

Incidenti me eskortën e Kurtit në Skenderaj, raporti policor thotë se nuk kishte elemente të veprës penale

Para 4 ditë

Deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, kishte tentuar ta godiste me veturë zyrtare eskortën e tij, kanë çuar në ngritjen e një padie për shpifje ndaj Kurtit.

Rasti lidhet me një incident të ndodhur më 27 janar të vitit të kaluar në Skenderaj. Sipas raportit policor të Njësisë Policore të Mbrojtjes së Afërt, pas një tubimi ishte raportuar se “një veturë e kishte rrezikuar eskortën e Mbrojtjes” së Kurtit.

Policia kishte ndaluar më pas veturën e dyshuar dhe kishte konstatuar se drejtues i saj ishte Lushtaku.

Megjithatë, raporti i prokurorit i datës 28 janar, i hartuar pas analizimit të video-incizimeve të rastit, jep një pasqyrë tjetër të ngjarjes.

“…vetura e dyshuar kyçet nga parkingu i pompës në rrugën rajonale Skenderaj-Drenas pasi kalon vetura e parë policore me rrotativë ndezur që i ka prij eskortës. Sapo kalon vetura e parë, vetura e dyshuar e fillon veprimin e kyçjës në rrugë dhe në momentin kur vetura e dytë policore e eskortës e mbrojtës së afërme vjen në pozicion paralel me të, vetura e dyshuar vetëm është e kyçur në rrugë, vetura shihet se kyçet duke e mbajt cepin e skajit të rrugës nga ana e tij dhe nuk del në shiritin e eskortës, pas pak shihet se ndezën dritat frenimit dhe veturat e eskortës e tejkalojnë veturën e dyshuar dhe e mbajnë shiritin e majtë të rrugës pa pas nevojë devijimi apo frenimi. Gjerësia e rrugës të cepi i pompës së derivateve është 16.50 metra, pra është rrugë me dy shirita qarkullues”, thuhet te raporti i prokurorit.

Në të njëjtin raport theksohet se nga analizimi i pamjeve dhe dokumentacionit nuk janë gjetur elemente të ndonjë vepre penale apo kundërvajtjeje në trafik.

“Pas analizimit të video incizimeve, raportit policor, duke e pas parasysh faktin se qarkullimi i trafikut në atë pjesë mund të zhvillohet në dy shirita qarkullues, por edhe deklaratës së z. Sami Lushtaku vijmë në përfundim se z. Sami Lushtaku me veprimet tij të kyçjës në rrugë me veturën 02Z-66-21 nuk ka kryer rrezikim të trafikut publik. Prandaj, në konsultim me prokurorin në këtë rast nuk kemi elemente të ndonjë vepre penale apo kundërvajtje kundër sigurisë së trafikut publik dhe rasti mbetet me shënim zyrtar për INFORMIM në Operativën e Stacionit Policor në Skenderaj”, thuhet në raport.

Kurti kishte deklaruar të hënën se gjatë fushatës në Skenderaj për zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2025, Lushtaku kishte tentuar ta godiste eskortën e tij me veturë zyrtare.

Trending