Grupi për prodhimin e cigareve pranë Odës Ekonomike vlerëson se ligji i propozuar për mbrojtje nga pirja e duhanit paraqet rrezik serioz për industrinë, bizneset e vogla dhe të mesme dhe ekonominë në përgjithësi, duke krijuar mospërputhje juridike me legjislacionin ekzistues dhe duke nxitur tregtinë ilegale të produkteve të duhanit, përcjell TV21.
Grupacioni e përshëndetë nismën e Ministrisë së Shëndetësisë për modernizimin e rregullores ekzistuese, por thekson disa kritika dhe rekomandime, pasi sipas tyre, teksti ka mospërputhje ligjore dhe regres rregullativ, veçanërisht me Ligjin për duhanin dhe produktet e duhanit, duke barazuar gabimisht cigaret me produktet alternative pa tym. Thonë po ashtu se model i bazuar në atë slloven është i papërshtatshëm për realitetin e Maqedonisë.
Paralajmërojnë edhe për ndikim negativ ekonomik, duke prekur industrinë e duhanit, bizneset e vogla dhe të mesme, sektorin e tregtisë me pakicë dhe hotelerisë, vendet e punës, si dhe të ardhurat e buxhetit shtetëror. Nga Ministria e Shëndetësisë nuk kishin ndonjë reagim konkret për këtë, por edhe sot dolën me disa arsye se pse projekt-ligji është i mirë, duke theksuar se synon të ulë ekspozimin, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë, duke ndaluar gjithashtu shitjen dhe ekspozimin publik të këtyre produkteve në pikat e shitjes dhe ambientet publike.










