Inflacioni në vend nuk ka të ndalur. Pas rritjes së inflacionit në qershor ku statistikat matën se kostoja e jetesës u rrit me 4.5 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ai ka vazhduar me nivele të larta. Të dhënat e fundit tregojnë një inflacion prej 4.8 për qind në muajin korrik. Mirëpo, edhe këto shifra përskaj paralajmërimeve dhe njoftimeve se do të merren masa, aktualisht nuk ka asnjë ofertë për një zgjidhje, shkruan gazeta KOHA.
Kryeministri, Hristijan Mickoski, është i gatshëm të paguajë një “çmim politik” me masa jo-populiste për inflacionin. Është më mirë të paguhet çmimi politik në afat të shkurtër sesa që qytetarët ta paguajnë atë në afat të gjatë, thotë Kryeministri. Ai konfirmoi se Qeveria nuk do të nxitohet të miratojë masa të përkohshme dhe populiste për inflacionin. “Praktika deri më tani ka treguar se kufizimi i marzhit nuk është një zgjidhje e përhershme për inflacionin, domethënë se ai përhapet vetëm në muajt e tjerë dhe më pas çmimet stabilizohen. Ky është një kurth në të cilin nuk duhet të biem”, është qëndrimi që Mickoski deklaroi së fundmi.
Kryeministri theksoi rritjen e kostove në shërbimet e ushqimit dhe transportit si faktorë kyç për inflacionin në Maqedoni, me rritje prej 4 për qind deri në 5 për qind. Konkretisht, shërbimet e ushqimit kanë parë një rritje prej 24-25 për qind krahasuar me vitin e kaluar, ngjashëm me shërbimet e transportit. Ky trend është vërejtur edhe në çmimet e frutave, ku është regjistruar një rritje e dyfishtë.
Qeveria po kryen analiza për të prezantuar masa të qëndrueshme për t’u përballur me rritjen e çmimeve të ushqimeve, me një fokus që shkon përtej kufizimit të thjeshtë të marzheve për të shmangur efektet ciklike të inflacionit. Mickoski vuri në dukje se rritja e pagave dhe pensioneve rrit kërkesën, e cila nga ana tjetër lejon një rritje të çmimeve të shërbimeve, pasi konsumatorët janë në gjendje dhe të gatshëm të paguajnë më shumë, duke nxitur më tej inflacionin.
Ndërsa qeveria kërkon zgjidhje afatgjata për inflacionin në rritje, me çmimet e frutave dhe perimeve në veçanti që po rriten ndjeshëm, ngrirja e çmimeve si masë nuk do të jetë një opsion këtë herë.
Në pritje të masave të shpallura qeveritare, ekspertët kanë shprehur mendime të ndryshme se si të frenohet rritja e inflacionit. Disa propozojnë ngrirjen e çmimeve, por për një periudhë më të gjatë prej një viti. Instituti për Kërkime dhe Politika Ekonomike “Finance Think” në analizën e tij të fundit tregoi se çmimet e ushqimeve nuk po nxisin më inflacionin, por se ai tani është rezultat i rritjes së kërkesës së brendshme dhe të ardhurave të larta reale dhe një sektori shërbimesh që i korrigjon çmimet lart. Efekti i masave për të kufizuar çmimet e ushqimeve, sipas tyre, është afatshkurtër dhe i kthyeshëm, kështu që ulja gjatë vlefshmërisë së masës kompensohet pothuajse plotësisht nga rritja e çmimeve që ndodh pas skadimit të masës.
Disa analistë ekonomikë këshillojnë që instrumentet standarde anti-inflacionare të orientuara drejt tregut të politikës fiskale dhe monetare duhet të aktivizohen, duke miratuar masa për kontrollin indirekt të inflacionit. “Nuk është e lehtë dhe pa pasoja, dhe disa politikanë të lartë do të bëhen menjëherë (dhe do të mbeten) jopopullorë, por ky është çmimi i atij profesioni publik. Është më mirë ta bëjmë tani me pasoja më të vogla, sesa më vonë me pasoja më të mëdha dhe më të tmerrshme”, thekson ish-Ministri i Financave dhe profesori universitar, Nikolla Popovski në një analizë të publikuar në rrjetet sociale.
Sipas tij, kjo është kryesisht rezultat i politikave ekonomike, veçanërisht atyre fiskale (deficite të larta dhe të vazhdueshme dhe përkeqësim i strukturës së buxhetit dhe shpenzimeve publike në përgjithësi, të cilat shkaktojnë përshpejtim të konsumit personal) dhe monetare (norma reale të interesit që janë shumë afër atyre nominale dhe shkaktojnë përshpejtim të konsumit të investimeve) që në të gjithë botën janë zhgënjyese, por edhe në vendin tonë gjithashtu kanë qenë vazhdimisht ekspansioniste dhe të gabuara që diku rreth viteve 2010/2011. Tani të gjithë janë viktimë e kësaj.
Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi ka kundërshtuar tezat e kryeministrit Hristijan Miçkoski se inflacioni është pasojë e rritjes së pagave dhe pensioneve. “Çmimet në Maqedoni nuk po rriten sepse qytetarët po fitojnë më shumë, por sepse nuk ka strategji për stabilitet ekonomik, sepse tolerohen strukturat monopoliste dhe marzhet spekulative, dhe sepse vendi varet nga importet për mallra bazë”, shton ai.
Si arsye strukturore e inflacioni ai përmendi tregjet e paqëndrueshme, kostot e larta të inputeve, çmimet spekulative dhe varësinë nga importet e energjisë elektrike — importet e të cilave, sipas tij, u rritën me 25.9 për qind në maj.
Partia e Majta thotë se pamundësia për të vendosur kontrolle efektive të çmimeve për produktet bazë minon besimin e qytetarëve tek institucionet. Zinxhirët e mëdhenj të shitjes me pakicë dhe shpërndarësit, duke pasur fitime rekord për vite me radhë, abuzojnë me fuqinë e tyre në treg – duke ruajtur marzhe të mëdha dhe duke krijuar presion artificial mbi çmimet. Inspektimi i tregut hesht, ndërsa monopolet negociojnë tronditje të reja çmimesh.
Në vend që të rregullojë ekonominë dhe të lehtësojë barrën mbi qytetarët, qeveria e justifikon inflacionin me rritjen e pagave dhe pensioneve, duke injoruar faktin se këto rritje shkatërrohen shpejt nga rritja e çmimeve. Banka Popullore parashikon një inflacion prej 3.5 për qind për vitin 2025, dhe FMN-ja 3.4 për qind, por rreziqet e rritjeve të reja të çmimeve mbeten të larta, veçanërisht në kushtet e rregullimit shtetëror jofunksional.
Duke qenë se ka rreziqe nga rritja e pagave dhe pensioneve, institucionet financiare ndërkombëtare e kanë paralajmëruar qeverinë se do të ketë një rritje të inflacionit edhe para se ajo të rrisë transfertat sociale në sektorin publik dhe të rrisë në mënyrë lineare pensionet për pensionistët. Fondi Monetar rekomandoi anulimin e rritjes së re të planifikuar të pensioneve në shtator dhe kthimin e sistemit të pensioneve në indeksimin e inflacionit. Rritjet e pagave në sektorin publik duhet të kufizohen në nivelin e inflacionit dhe reformat tatimore duhet të përqendrohen në një mbledhje më të mirë të taksave dhe uljen e përjashtimeve shton FMN.
Ekspertët janë të mendimit se masat e vjetra që nuk prodhojnë efekte në afat të shkurtër nuk janë të nevojshme. Inflacioni duhet të rregullohet përmes lëvizjeve të politikës monetare dhe fiskale.
Një nga faktorët kryesorë për çmimet e larta të produkteve ushqimore por edhe për inflacionin është se shumë prej tyre importohen nga jashtë, në vend që të prodhohen në vend. Ne shpenzojmë më shumë se një miliard dollarë për çdo vit për importin e ushqimit.
Problem më vete është edhe ulja e prodhimtarisë bujqësore ku 20 vite më parë është blerë 200.000 ton grurë vendas , ndërsa në 7-8 vitet e fundit nuk kemi qenë në gjendje të blejmë më shumë se 60.000 ton grurë vendas. Gjithashtu, sipas ekspertëve, ngrirja e marzheve dhe masa të ngjashme vështirë se zgjidhin edhe pse e zbusin problemin e çmimeve të larta dhe kjo është parë edhe me qeveritë e mëparshme, ku masa të tilla nuk prodhuan efekte të veçanta. Arsyet janë komplekse dhe shtrihen si në anën e ofertës ashtu edhe në atë të kërkesës. “Nga ana e ofertës, kemi inflacion të importuar, d.m.th. për shkak të faktorëve të jashtëm, lëndët e para, ushqimet dhe produktet e tjera nga të cilat jemi të varur nga importi janë bërë më të shtrenjta”, shtojnë ekspertët.










