Trendy

Inflacioni në mars 4,9%, shpenzimet për ushqim janë rritur 7,5%! Mickoski: Masa të reja pas Pashkëve

Para 2 ditë

Inflacioni përsëri u rrit. Enti Shtetëror i Statistikës ka matur se në mars ka arritur në 4,9 për qind krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Janë rritur edhe çmimet me pakicë për 3,4 për qind. Shpenzimet për ushqim dhe pije joalkoolike janë rritur për 7,5 për qind. Brenda një viti janë shtrenjtuar edhe veshmbathja, këpucët, kujdesi shëndetësor, rekreacioni, sporti dhe kultura, si dhe janë rritur çmimet në restorante, akomodim dhe arsim. Krahasuar me shkurtin, kostot e jetesës janë më të larta për 0,7%.

Edhe vlerësimet e Qeverisë kanë qenë se në mars inflacioni do të përshpejtohet dhe do të lëvizë ndërmjet 4,5 dhe 5 për qind. Kryeministri Mickoski thotë se po bëhen analiza dhe paralajmëron masa të reja të targetuara pas Pashkëve.

 “Masat e ardhshme do të jenë më të targetuara për grupe të caktuara të qytetarëve dhe për produktet bazë, flas këtu për produktet bazë ushqimore. Këto masa do të jenë të kombinuara me ulje të TVSH-së, por edhe me kufizim të marzhës së fitimit”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Ekspertët paralajmëruan se goditja nga kriza në Lindjen e Mesme mund të jetë deri në tre herë më e madhe se ajo e vitit 2022 dhe kërkuan masa urgjente nga Qeveria për mbrojtjen e standardit të qytetarëve. Kryeministri thotë se me uljen e TVSH-së dhe akcizës për karburantet janë përgjysmuar mundësitë për një inflacion dyfish më të lartë nga ai që pritej.

Masa të targetuara dhe më efikase kërkojnë menjëherë edhe sindikatat.

 “Inflacioni për të varfrit, për ata me pagë minimale ose afër saj, apo për ata me më pak se 600 euro pagë në Maqedoni, që janë 50 për qind e të punësuarve, nuk është 3,5 – 4,5 apo 5 për qind, sepse ata shpenzojnë për produkte bazë dhe kur shkojnë në markete, çmimet janë rritur për 10-15 apo 20 për qind. Këtë e shohim sidomos te perimet dhe me paralajmërimin për rritjen e çmimit të bukës, inflacioni për ta mund të kalojë 15 për qind”, theksoi Slobodan Trendafilov, kryetar i LSM.

Statistikat tregojnë se në mars, krahasuar me një vit më parë, rritja më e madhe te ushqimet është te frutat me 12,7 për qind. Qumështi, vezët dhe produktet e qumështit janë shtrenjtuar për 8 për qind, ndërsa vajrat dhe yndyrnat për rreth 7 për qind. Kafeja, ka shënuar rritje të madhe prej 25 për qind. Ulje çmimesh ka pasur te perimet.

Trending