Vlerësimet e inteligjencës amerikane tregojnë se, pavarësisht më shumë se dy javëve sulmesh intensive ajrore, regjimi iranian ka gjasa të mbetet në pushtet, i dobësuar por më i ashpër, me Gardën Revolucionare Islamike që po merr një rol edhe më dominues në kontrollin e vendit.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë goditur rëndë kapacitetet ushtarake të Iranit, duke dobësuar ndjeshëm flotën detare dhe aftësitë raketore, si dhe duke eliminuar udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei dhe dhjetëra drejtues të lartë ushtarakë e të inteligjencës.
Megjithatë, kostoja e luftës po rritet të paktën 12 miliardë dollarë dhe 13 ushtarë amerikanë të vrarë.
Ndërkohë, kontrolli i Iranit mbi ngushticën e Hormuzit ka ngadalësuar ndjeshëm trafikun detar, duke shkaktuar një ndërprerje historike në furnizimin global me naftë.
Zyrtarë dhe analistë perëndimorë nuk shohin gjasa në një periudhë të afërt për ndryshim regjimi apo për një tranzicion drejt një qeverie më demokratike – një objektiv i përmendur nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe herë pas here nga presidenti amerikan Donald Trump raporton Washington Post.
Sipas vlerësimeve të inteligjencës të cituara nga gazeta amerikane, regjimi iranian jo vetëm që do të mbetet në këmbë, por mund të dalë edhe i inkurajuar nga fakti që i rezistoi presionit të SHBA-ve dhe mbijetoi.
Në të njëjtën kohë, aleatët arabë të SHBA-ve në Gjirin Persik janë të alarmuar dhe të zemëruar pasi janë bërë objekt i sulmeve hakmarrëse me raketa balistike dhe dronë nga Irani.
Një zyrtar evropian e përshkroi skenarin më të mundshëm pas luftës si një “regjim i reduktuar i Gardës Revolucionare” në Teheran, që do të ruajë ende një pjesë të kapaciteteve bërthamore dhe raketore, si dhe mbështetjen e aleatëve rajonalë.
Presidenti Donald Trump, sipas burimeve të njohura me raportet e inteligjencës, ka marrë “informime shumë serioze” mbi situatën dhe ishte paralajmëruar që më herët se lufta mund të çonte në një forcim të mëtejshëm të Gardës Revolucionare.
“Nuk ishte thjesht e parashikueshme ishte parashikuar. Ai ishte informuar paraprakisht”, thanë burimet.










