Trendy

Investimi fillestar i ‘Shahterm’ kap shifrën 25 milion euro, priten mbi 200 punësime

Para 10 muaj

Kompania ndërkombëtare “Shahterm” ka vendosur gurthemelin për një investim të madh në Maqedoni, me një projekt që në fazën e parë kap vlerën prej 25 milionë euro dhe sjell krijimin e 200 vendeve të reja pune. Në planin afatmesëm, investimi pritet të dyfishohet në 50 milionë euro, ndërsa numri i të punësuarve të arrijë mbi 500.

Në ceremoninë e inaugurimit, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, vlerësoi projektin si një dëshmi e qartë e stabilitetit ekonomik dhe atraktivitetit të vendit për investitorët e huaj. Ai theksoi se ky investim kontribuon në forcimin e industrisë vendase dhe rritjen e eksportit.

“Ky është projekt që jo vetëm e zhvillon ekonominë, por edhe e konfirmon stabilitetin dhe përparimin e vendit tonë. Sot vendosim gurthemelin jo vetëm të një fabrike, por edhe të një të ardhmeje të re,” u shpreh Mickoski.

Kryeministri gjithashtu prezantoi disa nga treguesit më të fundit ekonomikë që sipas tij tregojnë për një kahje pozitive të zhvillimit të vendit:

  • Prodhimi industrial është rritur me 5,2% në mars 2025 krahasuar me një vit më parë;
  • Investimet e huaja direkte për vitin 2024 arritën në 1,255 miliardë euro – niveli më i lartë për kokë banori në Evropë;
  • Inflacioni është stabilizuar në 2,7% në mars dhe 2,6% në prill;
  • Pagat mesatare janë rritur nga 9 deri në 10% në vit;
  • Aktiviteti kreditues i bizneseve dhe qytetarëve është rritur me 13% në tremujorin e parë të 2025 – gjashtë herë më shumë se mesatarja e BE-së.

Për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm, Mickoski falënderoi të gjithë aktorët kyç, përfshirë drejtorin e Drejtorisë për Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale, Goce Dimovski, ambasadorin e Turqisë në Maqedoni dhe pronarin e kompanisë “Shahterm”.

“Falënderoj investitorin për besimin e dhënë vendit tonë si një destinacion i sigurt dhe perspektiv për zhvillimin e biznesit,” shtoi ai.

Fabrika e re pritet të përfundojë ndërtimin brenda pak muajsh dhe të luajë një rol kyç në zhvillimin industrial të vendit, si dhe në zgjerimin e pranisë së Maqedonisë në tregjet ndërkombëtare.

Trending