Trendy

“IPARD”, Mickoski: Ndërprerja me kërkesën time, të hetohen keqpërdorimet

Para 5 muaj

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se realizimi i mjeteve nga instrumenti IPARD është ndërprerë me kërkesë të tij. Arsyeja, siç tha ai, është të hetohen të gjitha abuzimet që kanë ndodhur jo vetëm tani, por edhe më parë. Ai thotë se veprimi që po ndërmerret aktualisht është i mirëpritur si pozitiv nga Komisioni Evropian.

“Po. Unë atë e kërkova sepse duhet të shohim se deri ku shkojnë keqpërdorimet. Informacionet e para thonë se kjo nuk ndodh tani por prej shumë më herët. Andaj do të hetojmë gjithçka dhe secili që mendon se aq lehtë do të kalojë gënjehet”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

LSDM-ja fajëson pushtetin për bllokimin e IPARD fondeve në vlerë prej 128 milion eurove. Sipas tyre, investimet në bujqësi që duhet të subvencionohen me 50% janë në rrezik.

“Të gjithë ata që kanë filluar investimin, tashmë kanë investuar para nga xhepi i tyre ose nga kredi, për gjysmën e investimit, kurse tani, 50% e investimit, për shkak të korrupsionit të pushtetit nuk do t’u paguhet dhe nuk dihet se kur ose nëse do t’u paguhet ndonjëherë”. u shpreh Bogdanka Kuzeska, LSDM.

Ministria e Financave njoftoi dje se kishte marrë një vendim për të pezulluar përkohësisht pagesat e fondeve nga programi IPARD. Ata shtuan se Komisioni Evropian u njoftua për pezullimin e përkohshëm të pagesave po atë ditë. Vendimi i Ministrisë së Financave vjen pas arrestimit javën e kaluar të drejtorit aktual të Agjencisë për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe katër personave të tjerë nën dyshimin për dhënie dhe marrje ryshfeti.

Prokuroria njoftoi se hetimi është zhvilluar për disa muaj nën drejtimin e Prokurorisë për krim të organizuar dhe vazhdimi i procedurës do të shihet më tej. /Alsat.mk

Trending