Trendy

“Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje”, Trump: Nëse refuzojnë, do përfundojmë atë që nisëm

Para 2 orë

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka mbledhur sot Kabinetin e tij për të folur mbi situatën e bisedimeve me Iranin, pas raportimeve nga mediat iraniane se një draft-marrëveshje është në fuqi.

Duke folur nga mbledhja e kabinetit, Trump tha se Irani dëshiron shumë të arrijë një marrëveshje, por nëse nuk lëshon pe, SHBA-ja do të përfundojë atë që ka nisur.

Ata duan shumë të bëjnë një marrëveshje. Deri më tani, ata nuk kanë arritur atje. Ne nuk jemi të kënaqur me këtë. Por ne do të jemi OK, ose kjo, ose do të na duhet thjesht ta përfundojmë punën”, tha Trump.

Ai shtoi se ekipi iranian po “negocion për gazrat” dhe “nuk ka zgjidhje tjetër” veçse të bëjë një marrëveshje, duke pasur parasysh vështirësitë ekonomike me të cilat po përballet Teherani.

“Por do të shohim se çfarë do të ndodhë. Ndoshta duhet të kthehemi dhe ta përfundojmë. Ndoshta jo tani”, shtoi Trump.

Nga ana tjetër, sekretari i Shtetit, Marco Rubio deklaroi se SHBA-të dhe Irani kanë bërë njëfarë përparimi drejt një marrëveshjeje paqeje.

“Do të shohim gjatë orëve dhe ditëve të ardhshme se ku mund të arrihet përparim“, tha sekretari i shtetit i SHBA-së në mbledhjen e kabinetit.

Ndërkohë që pak para se Donald Trump të niste mbledhjen e kabinetit, ai dha një përditësim të shkurtër mbi një telefonatë me PBS News.

Ai tha se përjashton mundësinë e shkëmbimit të lehtësimit të sanksioneve për Iranin në këmbim të heqjes dorë nga uraniumi i pasuruar në nivel të lartë nga Teherani.

“Jo, jo, aspak. Jo lehtësim i sanksioneve, jo. Ata do të heqin dorë nga uraniumin e tyre të pasuruar shumë, jo për sanksione, as për lehtësime. Jo, jo, aspak”, tha Trump kur u pyet për këtë çështje.

Shtëpia e Bardhë më parë kishte hedhur poshtë raportet iraniane se ekziston një projekt-marrëveshje që do të shihte SHBA-në të tërhiqte forcat ushtarake nga rajoni dhe të hiqte bllokadën e porteve iraniane.

Trending