Trendy

Irani ka 4 kërkesa për SHBA-në dhe Izraelin për paqe afatgjate në Lindjen e Mesme

Para 1 orë

Ambasadori i Iranit në Rusi, Kazem Jalali tha sot se Teherani ka katër kërkesa për SHBA-në dhe Izraelin me qëllim arritjen e paqes afatgjate në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.

Lista përfshin katër pika, tha Jalali në një intervistë për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve Tass.

“Së pari ndërprerje përfundimtare dhe e plotë e agresionit dhe akteve terroriste. Së dyti, ofrimi i garancive objektive dhe të besueshme për të parandaluar çdo përsëritje të agresionit dhe luftës. Së treti, kompensim i plotë për dëmet materiale dhe morale. Së katërti, respektimi i juridiksionit ligjor të Iranit në Ngushticën e Hormuzit me qëllim mbrojtjen e sigurisë ndërkombëtare detare”, tha diplomati.

Ambasadori iranian falënderoi Rusinë dhe vendet e tjera për përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund konfliktit.

“Ndërsa vlerësojmë lart rolin dhe përpjekjet e ndërmjetësve, ne besojmë se paqja varet vetëm nga respektimi i këtyre detyrimeve”, theksoi Jalali. Sipas tij, “Republika Islamike e Iranit gjithmonë ka mirëpritur çdo përpjekje konstruktive dhe të sinqertë për të vendosur stabilitet dhe siguri në rajon”.

“Megjithatë, duhet theksuar se çdo iniciativë ose plan i propozuar për të arritur paqe të drejtë dhe armëpushim të qëndrueshëm kërkon marrjen në konsideratë të realiteteve në terren dhe përmbushjen e këtyre kushteve dhe kërkesave ligjore dhe politike”, shtoi ai.

“Irani do të vazhdojë të ushtrojë të drejtën e tij të lindur për vetëmbrojtje derisa burimi i kërcënimit të eliminohet plotësisht”, tha Jalali.

“Sa u përket konsultimeve me partnerët, Teherani gjithmonë përfshin shkëmbimin e pikëpamjeve dhe koordinimin me aleatët e tij strategjikë, përfshirë Rusinë, në axhendën e tij diplomatike”, shtoi ai.

Trending