Përpjekjet diplomatike për zgjatjen e armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit duket se kanë hyrë në një fazë bllokimi, ndërsa Teherani po ashpërson retorikën dhe paralajmëron mundësinë e një “ofensive në shkallë të plotë”. Sipas CNN, duke cituar një zyrtar të paidentifikuar, forcat iraniane dhe aleatët e Teheranit po përgatiten të përshkallëzojnë veprimet në Ngushticën e Hormuzit dhe në rajonin përreth. Burimi pretendon se Irani mund të ndërmarrë një operacion ushtarak për të sfiduar bllokadën detare amerikane ndaj porteve iraniane në Gjirin Persik, nëse përpjekjet diplomatike dështojnë.
Armëpushimi, i cili skadoi të hënën, më 17 gusht, kishte parashikuar një periudhë 60-ditore për negociimin e një marrëveshjeje përfundimtare. Megjithatë, procesi u përfshi në mosmarrëveshje, veçanërisht për çështjen e kontrollit dhe menaxhimit të Ngushticës së Hormuzit. Ngushtica është një nga korridoret detare më të rëndësishme në botë për transportin energjetik. Një pjesë e konsiderueshme e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm që tregtohet në tregjet ndërkombëtare kalon përmes kësaj rruge.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se administrata e tij nuk po kërkon zgjatjen e afatit të marrëveshjes, duke shtuar pasigurinë mbi të ardhmen e negociatave. Ndërkohë, mediat amerikane raportojnë për kontakte jozyrtare mes administratës Trump dhe Gardës Revolucionare të Iranit. Sipas Axios, një komunikim amerikan iu përcoll drejtuesve të Gardës përmes një zyrtari kurd irakian, me synimin për të përcaktuar nëse negociatorët iranianë kishin edhe mbështetjen e strukturave ushtarake të Republikës Islamike.











